Aeroporti i Milanos merr emrin e Silvio Berlusconit, riemërtimi shkakton debate

25/09/2026 13:02

Aeroporti Malpensa i Milanos është emëruar zyrtarisht sipas ish-kryeministrit italian dhe manjatit të medias, Silvio Berlusconi.

Aeroporti tashmë mban emrin “Milano-Malpensa Silvio Berlusconi”, pas një procesi të nisur në vitin 2024, një vit pas vdekjes së Berlusconit në moshën 86-vjeçare.

Lajmin e ka komentuar edhe vajza e tij e madhe, Marina Berlusconi, presidente e grupit familjar Fininvest dhe drejtuese e shtëpisë botuese Mondadori.

“Kuptimi se Aeroporti Milano-Malpensa Silvio Berlusconi do të mirëpresë mijëra udhëtarë nga e gjithë bota çdo ditë më mbush me krenari dhe emocion”, tha ajo për agjencinë italiane të lajmeve ANSA.

Marina Berlusconi e cilësoi aeroportin si një urë mes Italisë dhe pjesës tjetër të botës, duke e lidhur emrin e babait të saj me udhëtimet dhe kontaktet mes njerëzve nga vende të ndryshme.

“Çfarë emri më të mirë mund të ketë për një urë si kjo sesa ai i Silvio Berlusconit? Ai ishte një njeri që gjithmonë kërkonte dialog me të gjithë. Babai im e kaloi jetën duke parë përpara dhe larg”, u shpreh ajo.

Riemërtimi është mbështetur nga qeveria e qendrës së djathtë, ku bën pjesë edhe Forza Italia, partia e themeluar nga Berlusconi.

Autoriteti italian i aviacionit civil, ENAC, vendosi në vitin 2024 që aeroporti të mbante emrin e ish-kryeministrit. Megjithatë, vendimi u shoqërua me debate dhe u përball me sfida ligjore nga autoritetet komunale të qendrës së majtë të Milanos, të drejtuara nga kryetari i bashkisë, Beppe Sala.

Pavarësisht kundërshtive, procesi për riemërtimin përfundoi dhe aeroporti i dytë më i madh i Italisë tashmë mban emrin e një prej figurave më të njohura dhe më të debatueshme të politikës dhe biznesit italian.

Top Channel