4 ligat kryesore të Evropës kërkojnë reformë në qeverisjen e FIFA-s
Katër kampionatet më të mëdha të futbollit evropian, Premier League, La Liga, Serie A dhe Bundesliga, kanë kërkuar reformë në mënyrën se si qeveriset FIFA.
Kërkesa vjen pas dështimit të planit për krijimin e një kompanie të re tregtare, e cila do të ishte e hapur për investitorë privatë.
Në një qëndrim të përbashkët, ligat kryesore evropiane kanë theksuar se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka pranuar nevojën për ndryshime, por sipas tyre, masat e deritanishme nuk janë të mjaftueshme.
“Ndryshimet sipërfaqësore ose procedurale pas çështjes së FIFA Forward Enterprise janë të pamjaftueshme”, thuhet në qëndrimin e tyre.
Katër ligat kërkojnë krijimin e një “organizmi të përhershëm”, i cili do të përfaqësonte të gjithë aktorët kryesorë të futbollit.
Sipas propozimit, në këtë strukturë duhet të përfshihen federatat kombëtare, ligat, klubet dhe lojtarët, si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.
Kjo kërkesë vjen në një periudhë kur modeli i qeverisjes dhe vendimmarrjes në futbollin ndërkombëtar po përballet me diskutime të shumta, veçanërisht për mënyrën se si merren vendimet që prekin klubet, ligat dhe lojtarët.
Katër kampionatet kryesore evropiane synojnë që në proceset e ardhshme të reformimit të FIFA-s të kenë një përfaqësim më të gjerë dhe më të qëndrueshëm të të gjithë aktorëve të futbollit.

