Këshilli i Bashkisë Shkodër ka miratuar dhënien e pëlqimit për ndryshimet në reformën e re territoriale. Bashkia Shkodër nga ana e saj do të qëndrojë në kufijtë aktual duke mos patur bashkim apo shkrirje të njësive. Dhënia e pëlqimit u miratua me 28 vota e PS dhe PSD sepse PD e kundërshtoi duke mos qenë dakord….
“Projektligji duhet trajtuar i plotë, jo diku duam ta lexojmë e diku s’duam ta lexojmë. Ky vendim nuk i përket Këshillit Bashkiak Shkodër të japë një vendim të plotë. Pëlqimi për projektligjin më thotë që duhet të shkrij bashkinë Libohovë. Refuzoj të jap një mendim për Libohovën. ” tha Imeld Sokoli Anëtar i Këshillit Bashkiak nga rradhët e PD-së
“Praktikisht nga Velipoja deri në Theth ka nevojë për një rishikim për mënyrën si funksionon. Ky territor nuk mbulohet në mënyrë të njëtrajtshme me shërbime. Nëse voton për kryeministrin ke dhe fonde” tha Florjan Bjanku anëtar i Këshillit Bashkiak, PD
“Po i bën shërbim Partisë Socialiste. Po hedh në votim këtë propozim. Nuk është normale” tha Irena Shestani anëtare e Këshillit Bashkiak, PD
Kryetari i Këshillit Bashkiak Oltion Luli hodhi poshtë akuzat e opozitës…
"Ky projektligj nuk ka ardhur nga partia socialiste por nga Kuvendi. Deputetët e PD nuk kanë sjellë asnjë projektligj për të diskutuar. Ne nuk prekemi nga ndryshimi i kufijve. Ka një riorganizim të brendshëm. Ndryshon skema në bashki, qytet dhe njësi administrative” tha Luli.
Një debat u krijua mes këshilltarëve edhe për Dukagjinin dhe Velipojën që marrin statusin qytet nga njësi administrative që janë deri më tani.
“Konceptimi si qytet është njësi urbane, por që të kalojnë në qytet njësi që kanë karakteristike rurale lë vend për interpretim. Në këtë rast duhej gjetur një formë tjetër” tha Florjan Bjanku, antëtar i Këshillit Bashkiak, PD
“Ku do të dalësh? Njerëzit e Dukagjinit janë njerëz si puna juaj. Ki kujdes kur flet. Nuk e pranoj. Krahina e Dukagjinit ka meritat e veta që nuk i cakton asnjë këshilltar këtu” tha Fatmir Vojvoda, anëtar i pavarur i Këshillit Bashkiak
Disa prej këshilltarëve të PS dhe PSD edhe pse e votuan pro dhënien e pëlqimit për reformën territorial kërkuan disa ndryshime në këtë projektlig.
Pavarësisht debateve dhe kundërshtive të opozitës, Këshilli i Bashkisë Shkodër e miratoi dhënien e pëlqimit për reformën e re territoriale bashkë me propozimet përkatëse që do t’i shkojnë Kuvendit për shqyrtim të mëtejshëm.










Komente
Komento