Deputetja socialiste Iris Luarasi ka dalë në mbështetje të gazetares Klodiana Lala pas përplasjes së saj me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, në ambientet e GJKKO-së.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Luarasi e konsideron të papranueshme deklaratën e Hysenit ndaj gazetares, duke kërkuar që kallëzimi i bërë nga Lala të trajtohet me përparësi nga SPAK.
Sipas deputetes, një gazetare që ngre pyetje për çështje me interes publik nuk duhet të përballet me insinuata që prekin reputacionin apo sigurinë e saj.
“Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale”, shkruan Luarasi.
Në cilësinë e zëvendëskryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, ajo u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për mbrojtjen e gazetares.
Luarasi thekson gjithashtu se SPAK duhet ta trajtojë me seriozitet kallëzimin e Lalës, ndërsa e mbyll reagimin me një apel për raportimin e lirë.
“Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”, shprehet ajo.
Përplasja ndodhi më 24 shtator, kur Klodiana Lala pyeti Hysenin për komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi dhe për materialet e klasifikuara që dyshohet se kanë përfunduar në duart e tij.
Në përgjigje, ish-drejtoresha e SHISH bëri pretendime ndaj gazetares, duke përmendur takime të supozuara me “agjentë serbë” në hotelin “Rogner”.












