Bardhi kërkon transparencë nga presidenti: Çfarë verifikoi para se të dekretonte Vlora Hysenin në krye të SHISH

Nga A2 CNN
25 Shtator 2026, 13:18 | Politikë

Bardhi kërkon transparencë nga presidenti: Çfarë verifikoi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga presidenti Bajram Begaj lidhur me emërimin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas zhvillimeve të fundit që çuan në vendosjen e saj nën masën e arrestit në shtëpi.

Në një postim në rrjetet sociale Bardhi tha se Shqipëria nuk ka nevojë për “spektakël institucional”, por për përgjigje konkrete mbi procedurat dhe verifikimet që janë kryer përpara dekretimit të Hysenit.

Sipas tij, Presidenti duhet të sqarojë se mbi çfarë informacioni dhe kontrollesh u mbështet vendimi për emërimin e saj në krye të një institucioni kyç të sigurisë kombëtare. Bardhi ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe burimeve që administron SHISH.

Demokrati kërkoi shpjegime edhe për pretendimet e ngritura ndër vite mbi funksionimin e SHISH-it, si dhe për vonesën prej 47 ditësh të betimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi.

“Presidenti duhet të shpjegojë çfarë verifikoi, çfarë dinte dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”, deklaroi Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos