“Një procedurë e hapur mbrapsht”, kështu njoftoi ditë më parë ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, përmes një postimi në rrjetet sociale, sa i përket këtij tenderi, i cili ishte bërë kryefjalë përgjatë javëve të fundit.
E pas këtij statusi të vetë ministres, së fundmi mësohet se Agjencia e Prokurimeve ka publikuar zyrtarisht anulimin e tenderit për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qytete të Shqipërisë, Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, duke i dhënë kështu fund një procedure me fond limit prej rreth 4.59 miliardë lekësh dhe me një kohëzgjatje prej 48 muajsh.
Tenderi ishte shpallur më 17 gusht 2026, me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar dhe ishte zhvilluar nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, shoqëri me zotërim publik. Në garë kishte marrë pjesë vetëm një kompani, Diaverum AB, e cila më 10 shtator 2026 ishte shpallur fituese e procedurës.
Megjithatë, vetëm pak ditë pas shpalljes së fituesit, procedura tashmë është anuluar zyrtarisht në sistemin e prokurimeve, ndërsa si argument për anulimin është përcaktuar se “procedura është anuluar për shkak të konstatimit të gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit.”
Bëhet fjalë për një tender me vlerë 4.59 miliardë lekë, i cili parashikonte ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qytete të vendit për një periudhë katërvjeçare. Në dokumentet e publikuara për procedurën rezulton se oferta e vetme ishte ajo e kompanisë Diaverum AB, e cila u shpall fituese më 10 shtator, ndërsa në njoftimin përkatës përcaktohej se nuk zbatohej periudha e pritjes, sipas parashikimeve të Ligjit për Prokurimin Publik.

Por tashmë, pas shpalljes së fituesit procedura është kthyer në pikën zero. Agjencia e Prokurimeve e ka regjistruar zyrtarisht anulimin, duke iu referuar gabimeve ose mangësive të rëndësishme të konstatuara në dokumentet e tenderit, ndërsa ky zhvillim vjen pas deklarimeve të mëparshme të ministres së Shëndetësisë, e cila kishte paralajmëruar rishikimin e procedurës.
Tenderi kishte tërhequr vëmendje edhe për faktin se në garë ishte paraqitur vetëm një kompani, ndërsa në platformën Open Procurement Albania procedura ishte shoqëruar edhe me dy “Flamuj të Kuq”, elementë që sinjalizojnë çështje që kërkojnë vëmendje dhe verifikim të mëtejshëm në procesin e prokurimit.
