Një konflikt i nisur pas një debati në TikTok rrezikoi të përshkallëzohej në një përplasje mes dhjetëra të miturve në Yzberisht. Ndërhyrja në kohë e policisë parandaloi përplasjen, ndërsa 23 të mitur, 13 deri në 17 vjeç, po hetohen të lirë.
Përplasja virtuale vijoi më pas me komunikime mes bashkëmoshatarëve, ku të miturit u ndanë në grupe dhe lanë takim në lagje për t’u sqaruar. Në bisedat mes tyre janë përdorur edhe shprehje si “ata janë më të fortë se ne në lagje” dhe “nuk do t’i lëmë të na bëjnë të fortin”.
Blutë konstatuan në rrugën “Besim Alla”, në Yzberisht, disa prej të miturve të pajisur me shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin gjatë konfliktit.
Ata u shoqëruan në komisariat, ndërsa më pas u identifikuan dhe shoqëruan edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në përplasje.
Në përfundim të veprimeve hetimore, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, policia referoi materialet në prokurori.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt. Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli. Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta. Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale.
Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve.
Siguria e fëmijëve dhe të rinjve, prioritet absolut i Policisë së Shtetit"








Komente
Komento