AKTUALITET /

Me shkopinj bejsbolli dhe grupe gati për sherr, policia parandalon tragjedinë, procedohen 23 të mitur në Tiranë

Kjo është e disata herë brenda pak javësh që policia parandalon konflikte të dhunshme mes të miturve.

Shkruar nga Versus

Me shkopinj bejsbolli dhe grupe gati për sherr, policia parandalon

Konfliktet e mëdha mes të miturve ku synohet përdorimi i mjeteve të forta mes atyre që janë të ndarë në grupe rivale, vijojnë të mbeten problem i madh në Shqipëri.

Së fundmi policia njofton se ka parandaluar një tragjedi që mund të kishte ndodhur si pasojë e një konflikti mes dhjetëra të miturve në Tiranë.

Efektivët kanë marrë informacione se të miturit do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”. Pasi mbërritën në vendngjarje, panë se disa të mitur ishin pajisur me shkopinj bejsbolli për t’i përdorur gjatë sherrit.

Në total 23 të mitur të moshave 13-17 vjeçare janë proceduar penalisht, ndërsa janë sekuestruar disa shkopinj bejsbolli.

Ky është një tjetër skandal që tregon kulturën e dhunës të infiltruar brenda të miturve të cilët pak javë më parë tentuan të bënin të njëjtën gjë duke u organizuar me grupe e mjete të mprehta për t’u përplasur me “rivalët” e tyre. Më së shumti konfliktet mes tyre e kanë zanafillën në rrjetet sociale si TikTok. Versus.al

Poll