Policia e Tiranës ka shoqëruar dhe identifikuar 23 të mitur, të moshës 13-17 vjeç, të cilët dyshohet se do të përfshiheshin në konflikt në zonën e Yzberishtit.
Gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar edhe dy shkopinj bejsbolli, që dyshohet se do të përdoreshin gjatë përplasjes.
Pas veprimeve procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, materialet i janë referuar Prokurorisë, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të miturit.
Njoftimi:
Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt.
Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli.
Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.













