Një turiste çeke dhe i dashuri i saj kanë raportuar një situatë të pazakontë dhe të dyshimtë, që ka ndodhur sipas tyre, me kompaninë Berisha e cila transporton udhëtarët nga Shkodra drejt Aeroportit të Tiranës.
Ajo shkruan se incidenti ka ndodhur më 23 Shtator teksa udhëtonin nga kryeqendra e veriut në drejtim të Tiranës dhe veç vonesës, autobusi është nisur i tejmbushur me pasagjerë e bagazhe, aq sa gjatë rrugës çantat kanë rënë.
"Gjatë udhëtimit, bagazhieri (hapësira e bagazhit) u hap. Një automjet tjetër e njoftoi shoferin. Ai ndaloi, e mbylli atë dhe fillimisht dukej gati për të vazhduar pa kontrolluar fare nëse bagazhi i të gjithëve ishte ende aty. Pasagjerët këmbëngulën që bagazhi të kontrollohej. Të paktën dy pasagjerë zbuluan se bagazhet e tyre kishin humbur", shkruan turistja.
"Ishte një autobus Mercedes relativisht modern, me bagazhier që hapej elektrikisht dhe tregues paralajmërues në panelin e kontrollit, ndaj e kam të vështirë të besoj se shoferi nuk e dinte që ai ishte hapur. Kjo më bën të dyshoj fuqimisht se u hap qëllimisht", vijon ajo.
Turistja çeke e shoqëron mesazhin e saj me disa fotografi të incidentit, personelit shqiptar dhe automjetit me të cilin udhëtonte nga Shkodra në drejtim të Tiranës. Sipas vajzës Teri Patzenhauerová, shoferi nuk organizoi asnjë lloj ndihme dhe ajo që ndodhi më vonë, sipas saj ishte vërtet shqetësuese. (Pamjet, në galerinë në fund të lajmit)

"Ne mbetëm në anë të rrugës në errësirë, ndërsa pasagjerët u desh t'i kërkonin vetë sendet e tyre. Pas rreth 30 minutash, u shfaq një burrë me një automjet tjetër dhe tha se kishte një bagazh të ngjashëm me timin dhe mund ta sillte mbrapsht – shoferi kishte bërë telefonata të vazhdueshme gjatë gjithë incidentit. Pasi pasagjerët e tjerë këmbëngulën fuqishëm se do të humbnin fluturimet e tyre, dhe ne e bëmë të qartë se ai nuk mund thjesht të na linte vetëm në një anë rruge të izoluar, ai bëri një telefonatë tjetër. Përafërsisht 20 sekonda më vonë, burri i panjohur u shfaq papritur me çantën time të shpinës në bagazhin e makinës së tij. Këtë sekuencë ngjarjesh e konsideroj jashtëzakonisht të dyshimtë. Nuk mund të vërtetoj se kush ishte përgjegjës, por rrethanat më bënë të vë seriozisht në dyshim se si e dinte ai person se ku ndodheshim dhe pse e kishte bagazhin tim.
Çanta ime e shpinës ndodhej në bagazhin e makinës së tij. Ajo ishte hapur dhe kontrolluar qartazi – sendet brenda saj ishin shpërndarë gjithandej. Çanta e shpinës ishte dëmtuar dhe një pjesë e seksionit të sipërm mungonte. Çadra ime kishte humbur plotësisht, me përjashtim të shtyllave të saj.
Shoferi donte të na linte mua dhe të dashurin tim vetëm në anë të rrugës, duke pritur atë burrin e panjohur, e më pas – me sa dukej – të merrnim një taksi për në Tiranë. Ne nuk pranuam. Edhe pasagjerët e tjerë kundërshtuan.
Shoferi nuk pranoi të më tregonte emrin apo dokumentin e identifikimit dhe pretendoi se nuk kuptonte anglisht, ndonëse kishte komunikuar në anglisht gjatë incidentit.
Sigurisht, nuk mund të vërtetoj saktësisht se kush e hapi bagazhin apo kush ishte përgjegjës për sendet e humbura. Por rrethanat ishin jashtëzakonisht të dyshimta dhe, nga këndvështrimi im, kjo dukej më shumë si një mashtrim sesa si një incident i zakonshëm me bagazhet", përmbyll mesazhin e saj turistja, duke apeluar të tjerët të tregojnë kujdes me kompaninë Berisha.
