Polemika rreth librit për Princeshën Diana, i vëllai hedh akuza ndaj Mbretit Charles. Reagon Pallati Mbretëror Një emër tjetër është shfaqur në hetimin e ri të Prokurorisë së Romës për zhdukjen e Emanuela Orlandit, rastit të bujshëm që prej më shumë se katër dekadash mbetet i pazbardhur.
Pas Laura Casagrande dhe Marco Fassoni Accetti, tashmë në hetim rezulton edhe Gabriella Boggiani, ish-mike e Accettit, e cila ishte përmendur edhe më herët në disa rindërtime të historisë.
Lajmi u bë i ditur gjatë një seance të Komisionit Parlamentar të Hetimit për zhdukjen e Emanuela Orlandit dhe Mirella Gregorit. Boggiani deklaroi se vetëm gjatë seancës kishte mësuar se ishte nën hetim.
“Nuk e dija që isha nën hetim”, mësohet të ketë thënë ajo gjatë dëshmisë së zhvilluar me dyer të mbyllura.
Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Romës, Boggiani është pjesë e një dosjeje të ndryshme nga ajo e Accettit, ku dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë që i përkisnin rrethit të njohjeve të fotografit në atë periudhë.
Telefonata që rikthen në vëmendje vitin 1983
Boggiani ka pranuar para komisionit se ka bërë një telefonatë në vitin 1983, e cila lidhej me emrin e Emanuela Orlandit. Ajo ka treguar se në atë kohë Accetti i kishte kërkuar të bënte një “shaka” telefonike.
“Një ditë Accetti më tha: ‘Hajde, bëje këtë shaka, bëje këtë telefonatë’. E bëra. Ishim në një kabinë telefonike në lagjen Africano në Romë”, ka rrëfyer ajo.
Sipas versionit të saj, Accetti i kishte thënë vetëm të shprehej se “ne e dimë se ku ndodhet Emanuela Orlandi”.
Boggiani këmbëngul se në atë moment nuk e dinte se kush ishte Emanuela Orlandi dhe nuk kishte dijeni për ndonjë plan kriminal.
Ajo gjithashtu mohoi të ketë lexuar ndonjë komunikatë që kërkonte shkëmbimin e Emanuela Orlandit me ekstremistin turk Ali Ağca, i cili në atë kohë ndodhej në burg për atentatin ndaj Papa Gjon Palit II.
“Konfirmoj se kam bërë një telefonatë, jo se kam lexuar një komunikatë”, deklaroi ajo.
Distancohet nga Accetti
Boggiani është distancuar gjithashtu nga Accetti, të cilin e ka përshkruar si një person “ekstravagant” dhe “pak të çmendur”, duke theksuar se njohja mes tyre kishte qenë e rastësishme dhe kishte ndodhur më shumë se 40 vite më parë. Sipas saj, pas asaj periudhe nuk ka pasur më kontakte me të.
Rasti i Emanuela Orlandit, e cila u zhduk në Romë më 22 qershor 1983, vijon të jetë një nga misteret më të mëdha të historisë moderne italiane. Emri i saj është lidhur ndër vite me teori të shumta, ndërsa hetimet dhe dëshmitë e reja vazhdojnë të rikthejnë në vëmendje personazhe dhe episode të asaj kohe.
Tashmë, emri i Gabriella Boggianit është futur zyrtarisht në hetimin e ri, ndërsa autoritetet italiane po përpiqen të verifikojnë rolin që ajo dhe personat e tjerë të përfshirë mund të kenë pasur në ngjarjet e vitit 1983.
Top Channel