Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të mundësojnë pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e radhës, e cila është parashikuar të zhvillohet më 29 shtator, në orën 15:00.
Në kërkesën zyrtare, Këshilli kërkon që Veliaj të lejohet të marrë pjesë fizikisht në mbledhje ose, nëse kjo nuk është e mundur për shkak të masave kufizuese ndaj tij, të mundësohet lidhja përmes videokonferencës.
Pjesëmarrja e kryetarit të Bashkisë vlerësohet e rëndësishme për shqyrtimin e disa çështjeve të administrimit të Tiranës, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe qëndrimi zyrtar për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Në shkresë, Këshilli Bashkiak i referohet edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese datë 3 nëntor 2025, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryebashkiakut në punimet e këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.
“Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:
lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,
Ose, nëse kjo nuk është e mundur,
mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak”, thuhet në kërkesë.
