
Zgjedhja e veshjes së Melania Trump për takimin me presidentin kinez Xi Jinping ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Zonja e Parë e SHBA-së zgjodhi një kombinim bardhezi për vizitën në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ndërsa ajo që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte fakti se u shfaq e veshur me pantallona.
Xi Jinping, 73 vjeç, dhe delegacioni i tij mbërritën në Shtetet e Bashkuara për një takim me presidentin amerikan Donald Trump, 80 vjeç. Vizita erdhi pas qëndrimit të Trumpit në Kinë në fillim të këtij viti.
Disa përdorues të rrjeteve sociale e konsideruan zgjedhjen e Melanias si të papërshtatshme për një takim të tillë zyrtar. Vëmendjen më të madhe e mori bluza e bardhë me një fjongo të madhe, të cilën ajo e kishte kombinuar me pantallona të zeza me prerje të gjerë.
“Duket si kameriere... A nuk do të ishte një fustan më i përshtatshëm? Apo ky është një lloj proteste?”, shkroi një përdorues.
Një tjetër kritikoi stilin e saj, duke shkruar në rrjetin X se Melania “ka nevojë për një stilist të ri”, ndërsa veshjen e saj e përshkroi si shumë pak formale për një rast të tillë.
Edhe përdorues të tjerë e konsideruan kombinimin shumë të thjeshtë për një takim diplomatik të nivelit të lartë. “Kjo veshje është shumë e zakonshme për këtë rast. Ajo zakonisht duket e përsosur, por këtë herë nuk funksionon”, ishte një nga komentet.
Megjithatë, pavarësisht kritikave për stilin e saj, bëhet fjalë për një kombinim mjaft të kushtueshëm. Bluza e markës Saint Laurent kushton rreth 2,300 dollarë, ndërsa pantallonat e zeza me bel të lartë nga Dolce & Gabbana kanë një çmim prej rreth 1,945 dollarësh.
Pamjen e saj Melania e kompletoi me grimin karakteristik, me theks te sytë dhe shkëlqim në buzë, ndërsa flokët i kishte të mbledhura larg fytyrës. Ajo kishte zgjedhur gjithashtu këpucë të zeza me majë të theksuar dhe vathë diamanti.
Stilistja dhe këshilltarja e imazhit të Melanias, Cynthia Kennedy, kishte shpjeguar më herët për Daily Mail se zgjedhjet e saj në modë synojnë të pasqyrojnë pavarësinë dhe gatishmërinë për t'u distancuar nga pritshmëritë tradicionale. Versus.al

