Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë gjatë vizitës së saj në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Në një mesazh të publikuar me këtë rast, Kos tha se mendimet e saj shkojnë veçanërisht për Nënat e Srebrenicës, të cilat, sipas saj, pavarësisht humbjeve të mëdha që kanë përjetuar, kanë mbetur ndër zërat më të fuqishëm për pajtim.

“Ndërsa ambasadorët e shteteve anëtare nderojnë sot viktimat në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, mendimet e mia janë veçanërisht me Nënat e Srebrenicës”, u shpreh ajo.

Kos theksoi se Nënat e Srebrenicës kanë ndërtuar mesazhin e tyre mbi të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën, duke mbajtur gjallë shpresën për një të ardhme ndryshe.

Sipas saj, mbi të njëjtin parim është ndërtuar edhe Bashkimi Evropian.

“Bashkimi Evropian u themelua mbi të njëjtin besim: se edhe pas krimeve më të tmerrshme, ish-armiqtë mund të zgjedhin të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët, në të cilën vuajtje të tilla nuk mund të ndodhin më kurrë”, deklaroi Komisionerja për Zgjerim.

Ajo shtoi se kjo është e ardhmja që meriton Ballkani Perëndimor dhe se mund të ndërtohet nga vetë njerëzit e rajonit. 

Vizita vjen pak kohë pas vdekjes në Hagë të ish kriminelit të luftës Ratko Mlladiç i cili u varros si hero në Serbi, pavarësisht kritikave të Bashkimit Europian.