Skandali që ka përfshirë ish-drejtuesen e SHISH, Vjosa Hyseni, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave rumune. “Realitatea” shkruan se Hyseni kishte lidhje të afërta me ish-zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Inteligjencës Rumune (SRI), Florian Coldea, i cili gjatë një periudhe ka shërbyer edhe si këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Sipas medias rumune, Hyseni është trajnuar nga Coldea dhe të dy kanë pasur kontakte e udhëtime të përbashkëta jashtë Shqipërisë.
“Pasi u bë kreu i SRI-së, thonë gazetarët, Coldea u përfshi edhe në shërbimet shqiptare. Disa burime shkojnë edhe më tej dhe thonë se gruaja ishte trajnuar në mënyrë operative nga vetë Florian Coldea”, shkruan “Realitatea”. Artikulli përmend gjithashtu raportime të mëparshme në shtypin shqiptar për udhëtime dhe takime të Hysenit me Coldean, përfshirë periudhën pasi ai kishte marrë drejtimin e shërbimeve shqiptare.
Në fokus të medias rumune është edhe situata ligjore e Florian Coldeas. Sipas artikullit, ai është dërguar në gjyq në Rumani për akuza që lidhen me ushtrimin e ndikimit, krijimin e një grupi të organizuar kriminal dhe pastrimin e parave. Bashkë me të akuzohen edhe Dan Tocaci dhe avokati Doru Trăilă, ndërsa seanca e radhës në çështjen e apelit në Gjykatën e Lartë është planifikuar për 15 tetor 2026.