Gjimshiti para debutimit ndaj Bjellorusisë: Synojmë Europianin për herë të tretë!
Në prag të ndeshjes së parë zyrtare të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë, kapiteni Berat Gjimshiti ka dalë në konferencën për shtyp, ku ka folur për gjendjen e skuadrës, objektivat dhe ndryshimet e bëra gjatë kësaj periudhe.
Mbrojtësi kuqezi vlerësoi atmosferën në grup dhe theksoi se ekipi ka pasur më shumë kohë për t’u përshtatur me idetë e trajnerit dhe për të integruar lojtarët e rinj.
“Besoj se e kemi gjetur shumë mirë skuadrën. Kemi pasur më shumë kohë sesa në fund të sezonit të kaluar. Këto ditë na kanë shërbyer për t’u njohur me idetë e trajnerit dhe me lojtarët e rinj. Ka një frymë shumë të mirë në Kombëtare. Rikthimi i Etritit është diçka shumë e mirë dhe do të na ndihmojë”, u shpreh Gjimshiti.
Kapiteni i Shqipërisë u ndal edhe te transferimi i tij nga Atalanta drejt futbollit arab, duke pranuar se niveli i kampionatit nuk është aq i lehtë sa mund të duket nga jashtë.
“Ia kam hapur rrugën Asllanit”, tha me humor Gjimshiti, duke iu referuar kalimit të Kristjan Asllanit në futbollin arab. “U largova me marrëveshje nga Atalanta, por nga larg nuk duket se çfarë niveli është. Është një ligë e vështirë dhe nuk është aq e thjeshtë sa duket, sidomos për mbrojtësit, sepse çdo ekip ka një sulmues me emër.”
Sa i përket synimit të Shqipërisë, Gjimshiti ishte i qartë: kuqezinjtë duan të sigurojnë një tjetër pjesëmarrje në Kampionatin Evropian.
“Synojmë të shkojmë për herë të tretë në Europian. Ky është synimi ynë, i lojtarëve dhe i trajnerit”, deklaroi kapiteni.
Në lidhje me mënyrën e organizimit të skuadrës, Gjimshiti bëri të ditur se ka diskutuar gjatë me trajnerin Maran dhe se vendimi për formacionin do t’i takojë teknikut.
“Kam folur shumë me trajnerin Maran gjatë kësaj kohe dhe besoj se do të luajnë ata që ai mendon se janë më të mirët për momentin. Nëse do të luajmë me tre apo katër mbrojtës, nuk është edhe aq e rëndësishme”, përfundoi Gjimshiti.

