Plagosje me armë zjarri në Tiranë, një person qëllohet në këmbë pranë Zogut të Zi
Një plagosje me armë zjarri është regjistruar në afërsi të zonës së Zogut të Zi në Tiranë, ku një shtetas kosovar është qëlluar me plumb në këmbë.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Efektivët po mbledhin dhe administrojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi plagosja, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve të personave të përfshirë.
Sipas burimeve, i plagosuri nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor dhe nuk ka dhënë detaje lidhur me rrethanat apo autorin e dyshuar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe dinamikën e plotë të saj.

