Ambasadori Eric Wendt mbërrin në Tiranë, nis kapitulli i ri i diplomacisë amerikane

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur mesditën e kësaj të premteje në Tiranë, për të nisur misionin e tij diplomatik. Ardhja është në një moment ku politika aktuale është me ngjarje të forta, si skandali në SHISH, protesta dhe zyrtatë në pranga.

Wendt mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku u prit nga përfaqësues të protokollit shtetëror dhe të Ambasadës Amerikane. Pas një qëndrimi të shkurtër në terminalin VIP, ai u nis drejt Tiranës, ndërsa automjeti me flamurin amerikan u drejtua fillimisht për në selinë e Ambasadës së SHBA-së në Rrugën e Elbasanit. I emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump, Wendt ka përcaktuar gjatë dëgjesës së tij në Senatin amerikan katër fusha kryesore ku synon të përqendrojë mandatin e tij në Shqipëri. Në fokusin e parë është mbrojtja e qytetarëve dhe interesave amerikane, si dhe mbështetja ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

Wendt ka shprehur mbështetje për objektivin e Shqipërisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Diplomacia ekonomike dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare janë një tjetër shtyllë e programit të tij, ndërsa e katërta lidhet me stafin e ambasadës dhe atë që Wendt e ka cilësuar si “Faktorët njerëzorë”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mbërritja e ambasadorit të ri i jep fund një periudhe prej rreth tre vitesh pa një ambasador të SHBA-së në Tiranë. Ditët e para të Wendt në detyrë pritet të jenë të ngarkuara. Të shtunën paradite, ai pritet të zhvillojë ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave. Pas ceremonisë, sipas burimeve diplomatike të cituara nga Top Channel, pritet edhe një takim kokë më kokë mes tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të hënën, ambasadori amerikan pritet të zhvillojë takimin e parë zyrtar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku do të takohet me ministrin Ferit Hoxha. Më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë ceremoninë e prezantimit zyrtar të ambasadorit të ri, e cila do të mbahet në një hotel në qendër të kryeqytetit. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës pritet të jetë një nga elementët me interes të kësaj pritjeje.

Eric Wendt është një gjeneral i lartë amerikan në pension, me më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe të karrierës së tij në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s dhe ka mbajtur poste të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit. Përpara emërimit të Wendt, administrata e ish-presidentit Joe Biden kishte propozuar diplomatin David J. Kostelancik për postin e ambasadorit në Shqipëri, por kandidatura e tij nuk u finalizua në Senatin amerikan.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?