Prag përplasje në qiell. Avionët e Suedisë dhe Finlandës i zënë pritë atyre të Rusisë

25 Shtator 2026, 16:15Bota TEMA
Prag përplasje në qiell. Avionët e Suedisë dhe

Rusia vazhdon t’u bjerë daulleve të luftës me NATO-n. Avionë luftarakë suedezë dhe finlandezë u ngritën në ajër për të kapur dhe identifikuar avionë ushtarakë rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Gjirin e Finlandës.

Misioni ishte pjesë e kuadrit më të gjerë finlandez-suedez për monitorimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të të dyja vendeve, njoftoi forca ajrore në një deklaratë. Avionët luftarakë të dy forcave ajrore gjurmuan dhe identifikuan një grup avionësh rusë, përfshirë një aeroplan transporti dhe disa avionë luftarakë, shtuan autoritetet.

Rajoni i Detit Baltik, pjesë e të cilit është Gjiri i Finlandës, është në gatishmëri të lartë pas incidenteve që përfshijnë ndërprerje të tubacioneve të gazit, shkelje të hapësirës ajrore dhe lëshimit të dronëve që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Tensionet vijnë në një kohë kur inteligjencat e perëndimit japin alarmin për një sulm të mundshëm nga ushtria e Vladimir Putinit ndaj një vendi të NATO-s apo Europës.

Thomas Ahrenkiel, shef i Inteligjencës në Danimarkë, tha: “Ne vlerësojmë se Rusia do ta përshkallëzojë më tej luftën e saj hibride kundër nesh në muajt në vijim, me një numër në rritje të sulmeve të tentuara që synojnë të shkaktojnë dëme më të mëdha se më parë. Është një situatë e rrezikshme, sepse sjellja e Rusisë kontribuon në zbehjen e vijës ndarëse midis luftës dhe paqes. Ne gjithashtu vlerësojmë se ekziston një rrezik i vogël, por në rritje, që Rusia të ndërmarrë hapin e kryerjes së sulmeve të kufizuara ushtarake kundër një ose më shumë vendeve të NATO-s që kufizohen me Rusinë”.

Ndërkohë, ditë më parë në media u raportua për një alarm të CIA-s amerikane se Rusia mund të lëshojë dronë sulmues në drejtim të Italisë, Francës dhe Spanjës.

Autoritetet e këtyre shteteve nuk kanë konfirmuar vërtetësinë e këtij alarmi të inteligjencës së SHBA-ve, por presidenti Emmanuel Macron ka pohuar se ekziston rreziku i një përshkallëzimi me Rusinë. 

Lini një Përgjigje