Ambasadori i sapoemëruar i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur në Tiranë. Takimi i tij i parë zyrtar do të zhvillohet nesër me Presidentin Bajram Begaj, të cilit do t’i dorëzojë letrat kredenciale.
Takimi kokë më kokë mes ambasadorit Wendt dhe kreut të shtetit, Bajram Begaj, është planifikuar për orën 11:00.
Të lidhura
None found
Wendt është gjeneral-lejtnant amerikan në pension, me një karrierë më shumë se 34-vjeçare në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Përvoja e tij është e lidhur veçanërisht me operacionet speciale dhe çështjet e sigurisë.
Gjatë shërbimit ushtarak, ai ka drejtuar forcat e operacioneve speciale të NATO-s, ku ka punuar edhe me trupa shqiptare.
Bashkëpunimi me ushtarakë shqiptarë ka vijuar edhe gjatë misioneve në Afganistan.
Pas pensionimit nga ushtria, ambasadori i ri amerikan e ka vijuar veprimtarinë në fushën e sigurisë dhe të lidershipit. Ai ka dhënë mësim për komandimin dhe udhëheqjen në Naval Postgraduate School.
Gjatë dëgjesës së konfirmimit në Senatin amerikan, në muajin maj, Wendt bëri të ditura edhe objektivat që synon të ndjekë gjatë mandatit të tij diplomatik në Shqipëri.
Ndër prioritetet e tij janë lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në mbrojtje e siguri kibernetike.
Ai ka theksuar gjithashtu, rëndësinë e një trajtimi të drejtë dhe transparent për investitorët amerikanë.
Wendt ka përmendur si fusha me interes energjinë, infrastrukturën, industrinë minerare dhe inteligjencën artificiale.
Me ardhjen e tij në kryeqytet, Eric Wendt nis zyrtarisht detyrën në drejtimin e misionit diplomatik amerikan në Shqipëri.
