Maran gati për debutimin zyrtar: Kam besim te skuadra, duam ta nisim me fitore!

Pas dy ndeshjeve miqësore në stol, për Rolando Maran ka ardhur momenti i parë i vërtetë i testit zyrtar. Shqipëria do të nisë nesër në “Air Albania” aventurën e saj në Ligën e Kombeve, me përballjen ndaj Bjellorusisë. Për trajnerin italian, kjo ndeshje nuk është vetëm një mundësi për të marrë tri pikët, por edhe testi i parë i rëndësishëm për idetë e tij në drejtimin e kuqezinjve. Maran ka theksuar më herët se Shqipëria duhet të synojë kreun e grupit.

Në konferencën për shtyp, tekniku italian foli për kundërshtarin, gjendjen e skuadrës dhe alternativat që ka në dispozicion. Trajneri i Shqipërisë e vlerësoi kundërshtarin, duke e cilësuar Bjellorusinë një skuadër kompakte, por theksoi se fokusi i tij kryesor mbetet te skuadra kuqezi.

“Bjellorusia është një skuadër kompakte dhe po ecën shumë mirë. Kemi shumë respekt për ta. Përtej kësaj, jam mësuar të përgatis dhe të përqendrohem te skuadra ime. Kemi punuar shumë mirë, sepse kemi gjetur menjëherë stimujt e duhur. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, deklaroi Maran.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për Maranin, ndeshja e nesërme ka një rëndësi të veçantë, pasi shënon debutimin e tij zyrtar në krye të Shqipërisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Është e vërtetë që nesër fillon aventura ime si trajner i Shqipërisë dhe kjo më emocionon dhe më bën krenar. Të bën të japësh edhe më shumë se në kushte normale. Kemi pasur disa probleme fizike me disa lojtarë, por, përpos kësaj, kushdo që do të futet në fushë do të japë maksimumin. Unë kam shumë besim”, tha ai.

Në lidhje me gjendjen e Kristjan Asllanit dhe Klaus Gjasulës, Maran konfirmoi se të dy do të stërviten normalisht dhe mund të jenë alternativa për ndeshjen.

“Meqë disa lojtarë nuk ishin në kushtet optimale, kam provuar shumë alternativa. Asllani dhe Shehu sot do të stërviten normalisht. Kemi provuar shumë alternativa dhe kemi punuar shumë. Ishte një javë impenjative, kështu e kërkova unë dhe ata m’u përgjigjën shumë mirë”, u shpreh trajneri.

Maran shtoi se pret që lojtarët të rikuperohen, edhe pse jo të gjithë mund të jenë në gjendje për të përballuar 90 minuta.

“Jam optimist se të gjithë do të rikuperohen, ndoshta jo për 90 minuta, por do t’i kemi si alternativa”, tha ai.

Maran theksoi gjithashtu se periudha e kaluar i ka shërbyer për të krijuar një ide më të qartë mbi karakteristikat e futbollistëve që ka në dispozicion.

“Tani i njoh shumë mirë. Kam fatin që, përveç grumbullimit, gjatë këtyre muajve jam takuar dhe kam pasur kontakte me ta. Tani situata është ndryshe nga fillimi”, tha ai.

Trajneri italian sqaroi se zgjedhjet e tij janë bazuar edhe në formën aktuale të lojtarëve.

“Duhet të dini se lojtarët ndryshojnë, ka lojtarë që kalojnë momente të ndryshme, si për mirë, ashtu edhe jo për mirë. Nuk mund të përmend emra të veçantë. Unë kam grumbulluar ata që ishin në gjendje më optimale dhe më të përshtatshëm për zgjedhjet e mia. Kam punuar shumë për këtë, ju siguroj”, përfundoi Maran.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?