Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka shkelur këtë të premte në tokën shqiptare. Burime për mediat konfirmojnë se i përzgjedhuri i presidentit Donald Trump për të drejtuar Ambasadën Amerikane në Tiranë ka mbërritur rreth mesditës së 25 shtatorit në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.
Wendt është pritur në aeroport nga drejtues të protokollit të shtetit, si edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP, ambasadori i ri amerikan është larguar nga aeroporti, ndërsa makina me flamurin e Shteteve të Bashkuara është nisur në drejtim të kryeqytetit.
Ndalesa e parë e tij në Tiranë pritet të jetë selia e Ambasadës Amerikane, aty ku Wendt do të nisë kontaktet e para pas mbërritjes në Shqipëri.
Sakaq mësohet se paraditja e së shtunës do ta gjejë Eric Wendt në Pallatin e Brigadave, ku do të dorëzojë letrat kredenciale. Përveç ceremonisë së dorëzimit të kredencialeve, parashikohet edhe një takim mes presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit të ri amerikan, i cili pritet të jetë një nga takimet e para zyrtare të Wendt në Shqipëri.
Të hënën, ambasadori i ri amerikan pritet të vijojë axhendën e tij me një vizitë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku do të zhvillojë takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha.
Ndërkohë, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë edhe ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri, e cila do të mbahet në një hotel në qendër të kryeqytetit.
Ish-gjenerali amerikan vjen në Tiranë me një axhendë të përcaktuar dhe me disa prioritete të bëra publike prej tij gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan. Në atë seancë, Wendt renditi katër drejtimet kryesore ku do të përqendrohet gjatë mandatit të tij në Shqipëri.
Në fokusin e parë është mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të Shteteve të Bashkuara, ku përfshihet edhe mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me sigurinë dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s. Wendt ka deklaruar se do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, me objektivin e arritjes së nivelit 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Në axhendën e tij është edhe diplomacia ekonomike dhe tregtare. Ambasadori i ri amerikan ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe krijimit të më shumë mundësive për bizneset dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Ndërsa prioriteti i katërt lidhet me vetë stafin e Ambasadës Amerikane. Wendt e ka cilësuar këtë si “faktori njerëzor”, duke theksuar nevojën për përdorimin e mënyrave standarde dhe kreative në funksion të punës së përfaqësisë diplomatike.
Kush është Eric Wendt?
Me mbi 34 vite shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke menaxhuar organizata komplekse me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Përveç karrierës ushtarake, ai ka kontribuar edhe në diplomaci, duke shërbyer për dy vite në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Në këtë rol, ai drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.
Departamenti i Shtetit thekson se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thellë e rajonit evropian e bëjnë Wendt një kandidat shumë të kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.
Në aspektin akademik, Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjithashtu njohuri në gjuhën arabe dhe koreane.
Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me një sërë dekoratash dhe çmimesh prestigjioze, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
