Blushi: Përgjegjësia për SHISH nuk mbaron te drejtorët, Rama duhet të arrestohet
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i bëri thirrje SPAK që të hetojë edhe kryeministrin Rama të cilin ai e konsideron në krye të hallkës së përgjegjësive për atë ndodhi me ish drejtoreshën e SHISH e marrë nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete.
“Përgjegjësia penale për kapjen totale të shtetit nga mafia nuk mund të ndalet te një drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit, te një drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit apo apo te një tjetër hallkë e këtij mekanizmi mafioz që ka kapur për fyti të gjitha institucionet. Përgjegjësia penale duhet të ndjekë zinxhirin komandues të organizatës kriminale deri në krye.
Dhe në krye të organizatës së strukturar kriminale është Edi Rama. Tani para të gjithë shqiptarëve është faktuar se si me autorizimin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, drejtuesit më të lartë të shtetit, ministra, deputetë, drejtorë të SHISH, AKSHI-it, Kadastrës, drejtorë policie e me radhë detyroheshin të raportonin te koordinatori i krimit, Ergys Agasi. Ndaj edhe arrestimi i drejtoreshës së SHISH nuk mjafton.
Një hetim serioz nuk mund të ndalet aty ku fillon përgjegjësia e Edi Ramës. Duhet të ndjekë provat deri në fund. Nëse SPAK heton vetëm hallkën, duke hetuar dhe arrestuar ushtarët, por nuk heton arkitektin, kapon e organizatës kriminale, nuk ka zbardhur skemën, por ka shpallur mbrojtjen e tij. Prandaj kërkesa jonë është e qartë, SPAK duhet ta ndjekë përgjegjësinë penale deri te Edi Rama, i cili duhet të merret pa vonesë i pandehur.
Jo sepse këtë e kërkon opozita, por sepse çdo hetim serioz duhet të ndjekë zinxhirin e përgjegjësisë atje ku të çojnë provat. Edi Rama ka ndërtuar, kontrolluar dhe mbrojtur mekanizimin e kapjes së shtetit nga mafia, dhe të inkriminimit të çdo qelize në institucionet e shtetit. Siguria e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, buxheti i shtetit, çdo pasuri publike dhe të dhënat personale të shqiptarët janë dorëzuar në duart e krimit.
Edi Rama duhet të arrestohet sapo të zbresë në aeroport. Provat se ai dhe vetëm ai është kryetar i kësaj organizate kriminale janë sot në dritë të diellit. Të hënën mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, të një vendi anëtar të NATO-s, ku është shembur e gjithë arkitektura e shtetit, ku institucionet e sigurisë janë dorëzuar të gjitha në duart e mafias, përfshi edhe Mbrojtjen që ndodhet në duart e Ron Yeffet.
Mbledhja e një organi këshillimor është shumë e vonuar dhe e pavlerë, sepse llogaridhënia para ligjit dhe para të gjithë shqiptarëve nuk mund të suprimohet para asnjë llogaridhënie tjetër. Peshku qelbet nga koka. Pa i prerë kokën, çdo “kokë turku” është vetëm fasadë, për të shpëtuar kokën e Edi Ramës. Prandaj, nëse nuk hetohet Edi Rama, asnjë hetim, asnjë arrestim për kapjen e shtetit nga mafia nuk ka vlerë. Shporrja e Edi Ramës është më shumë se kurrë emergjencë kombëtare. Mafia ka sot shtetin e vet, por shteti do t’u kthehet shqiptarëve! Me çdo çmim”.

