POLITIKË /

Ambasadori i ri i SHBA-së Eric Wendt mbërrin në Tiranë, dorëzon të shtunën letrat kredenciale

Më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë edhe ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri

Shkruar nga Versus

Ambasadori i ri i SHBA-së Eric Wendt mbërrin në Tiranë,

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur mesditën e së premtes në Tiranë.

Mësohet se i përzgjedhuri i presidentit Donald Trump është pritur në aeroport nga drejtues të protokollit të shtetit, si edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP, ambasadori i ri amerikan është larguar nga aeroporti, ndërsa makina me flamurin e Shteteve të Bashkuara është nisur në drejtim të kryeqytetit.

Ndalesa e parë e tij në Tiranë pritet të jetë selia e Ambasadës Amerikane, aty ku Wendt do të nisë kontaktet e para pas mbërritjes në Shqipëri.

Sakaq mësohet se paraditja e së shtunës do ta gjejë Eric Wendt në Pallatin e Brigadave, ku do të dorëzojë letrat kredenciale.

Përveç ceremonisë së dorëzimit të kredencialeve, parashikohet edhe një takim mes presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit të ri amerikan, i cili pritet të jetë një nga takimet e para zyrtare të Ëendt në Shqipëri.

Të hënën, ambasadori i ri amerikan pritet të vijojë axhendën e tij me një vizitë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku do të zhvillojë takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha.

Ndërkohë, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë edhe ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri, e cila do të mbahet në një hotel në qendër të kryeqytetit./Versus.al

Poll