Rrëfimi i pazakontë i Melanias: Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme nën komunizëm

Ndërsa Shtëpia e Bardhë po përgatit enët e argjendta për banketin në nder të Presidentit kinez Xi Jinping dhe bashkëshortes së tij, Peng Liyuan, Melania Trump i ka habitur të gjithë duke folur me dashamirësi për fëmijërinë e saj nën komunizëm.
“Jam rritur nën komunizëm dhe, sinqerisht, nuk më ka munguar asgjë. Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme,” tha ish-modelja sllovene në një intervistë për Fox News.
Ky është një rast i ri ku ajo distancohet nga Donald Trump, pikërisht në ditën kur kreu një vizitë kulturore me Peng Liuan, anëtare e Partisë Komuniste Kineze.
Donald shpesh e përmend spektrin e komunizmit si një nga kërcënimet më të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, ka shtuar sulmet ndaj demokratëve duke i cilësuar ata si “komunistë”.
Melania dhe Pengu – një soprano e njohur – vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Aziatik në Uashington para se të ndërronin veshjet për banketin e mbrëmjes, ku ishin të pranishëm shumë miliarderë.
Melania e organizoi me përpikëri darkën, duke mbikëqyrur gjithçka, nga menyja me tri pjata – që përfshinte përbërës amerikanë me ndikime kineze – e deri te vera për dolinë.
Gotat do të mbushen me ”Schramsberg Blanc de Noirs’, e njëjta verë kaliforniane që u shërbye në Pekin në vitin 1972 gjatë “Dolisë për Paqe” historike mes Richard Nixon-it dhe Kryeministrit Zhou Enlai.
Pas asaj vizite – një shenjë e shkrirjes së akujve mes Amerikës kapitaliste dhe Kinës së Maos – Pekini u dhuroi Shteteve të Bashkuara pandat Ling-Ling dhe Hsing-Hsing, duke nisur kështu një nga kapitujt më të famshëm të “diplomacisë së pandave”.
Dy panda të tjera do të mbërrijnë në Kopshtin Zoologjik të Atlantës në ditët në vijim, njoftoi Xi, duke i përdorur sërish këto kafshë madhështore si simbol të diplomacisë së “fuqisë së butë” të Dragoit, ndonëse marrëdhënia më e gjerë mbetet tejet e tensionuar për çështjet e tregtisë, teknologjisë dhe sigurisë.
Xi dhe Pengu mbërritën dje në bazën ushtarake “Joint Base Andrews” dhe u pritën personalisht nga çifti Trump – një gjest i pazakontë për protokollin e vizitave shtetërore.
“Unë gjithmonë i them Donaldit të vërtetën”, zbuloi ajo në një paraprirje të serialit të ri dokumentar që e paraqet atë; ai është planifikuar të dalë në nëntor, menjëherë pasi Trump të jetë përballur me zgjedhjet e mesit të mandatit dhe peizazhin e ri politik në Capitol Hill.


