Trump i hap dyert presidentit kinez, por ua mbyll mediave amerikane

25 Shtator 2026, 15:50Bota TEMA
Trump i hap dyert presidentit kinez, por ua mbyll mediave amerikane

Nga Peter Baker, The New York Times

Përplasja për ndalimin e disa mediave nga Presidenti Trump u zhvillua teksa ai mirëpriste Presidentin Xi Jinping, qeveria e të cilit renditet ndër më shtypëset në botë.

Në hyrjen e Shtëpisë së Bardhë, një grumbull gazetarësh kinezë po pranoheshin brenda Ndërtesës së Ekzekukitivit për të mbuluar vizitën e presidentit kinez Xi Jinping. Jashtë në rrugë, një sërë gazetarësh amerikanë nuk u lejuan të hynin në Shtëpinë e Bardhë me urdhër të Presidentit Donald Trump.

Skena në Bulevardin Pensilvania mëngjesin e së enjtes regjistroi një javë surreale në jetën e Uashingtonit. Presidenti i SHBA-ve ndaloi reporterët amerikanë sepse i etiketoi si kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa mirëpriti reporterët kinezë, të cilët i përgjigjen diktaturës komuniste në Pekin.

Është fjala për të njëjtin president që po zhvillon një fushatë reklamash televizive të sponsorizuar me fonde qeveritare, ku betohet se nuk do të lejojë që SHBA-të të bëhen një vend socialist apo komunist, të njëjtën javë që zhvilloi një takim miqësor me krybashkikaun demokrat-socialist të Nju Jorkut dhe shtroi, në kuptimin e parë të fjalës, tapetin e kuq për presidentin komunist të Kinës. I njëjti president, i cili po zhvillon një luftë ekonomike kundër kryeministrit të Kanadasë, ndëkohë që fton presidentin e Rusisë të vizitojë klubin  e tij të golfit në Florida.

Në garën epike mes demokracisë dhe autokracisë, Z. Trump prej kohësh ka dhënë përshtypjen se mund të jetë në krahun tjetër. Por kjo rrallëherë është bërë kaq e dukshme sa këtë javë, teksa ai ndëshkon agjencitë e lajmeve sepse tregohen tepër “negative” me të, ndërsa përqafon Z. Xi dhe Presidentin Vladimit Putin, dy nga liderët autoritarë të botës, qeveritë e të cilëve shtypin brutalisht fjalën e lirë.

Mbërritja e Z. Xi në Shtëpinë e Bardhë u kremtua me pompozitet dhe rrethana që nuk u mbuluan nga rrjetet televizive amerikane, të cilat ishin ende duke bojkotuar Shtëpinë e Bardhë, derisa stafi i Z. Trump të pranoë me shkrim lejimin e kamerave të CNN. Reporterët e CNN, MS NOW dhe Politico, të cilët fillimisht nuk u lejuan të hynin në Shtëpinë e Bardhë mëngjesin e së enjtes, pavarësisht se u lejuan më pas me urdhër të gjykatës, por pasdite stafi i Z. Trump nuk e kishte lejuar ende CNN të kishte akses në pamjet filmike.

Edhe teksa Z. Trump turfullonte se dita e madhështive e orkestruar me aq kujdes prej tij nuk u transmetua në television, ai u kënaq në prezencën e Z. Xi dhe e mbuloi me lëvdata atë, duke mos përmendur problemet e të drejtave të njeriut, që presidentët e mëparshëm i kanë ngritur sa herë janë takuar me homologët e tyre kinezë.

“Qysh nga zgjedhja ime e parë në 2016, unë dhe Presidenti Xi kemi krijuar një miqësi, një miqësi vërtet të fortë në fakt, e ngritur mbi respektin e përbashkët dhe interest jetësore të popujve tanë,” deklaroi Trump në Hollin e Madh të Shtëpisë së Bardhë. Më pas ai u kënaq duke i bërë mikut të tij një tur të sallës së re të ballove ende në ndërtim dhe i tregoi fotografinë tallëse të stilolapsit automatik, që supozohet të tregojë paraardhësin e tij, ish Presidentin Joseph R. Biden Jr.

Z. Trump shpreson që së shpejti të presë në mënyrë të ngjashme Z. Putin. Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi gjatë kësaj jave se Z. Trump kishte ftuar liderin e sanksionuar rus që të marrë pjesë në takimin e përvitshëm të G20-ës në Miami në dhjetor, çka mund të jetë shfaqja e tij e parë në këtë event që nga 2019, para se të niste pushtimin e Ukrainës. Saiti planifikohet të mbahet në Trump National Doral në Miami, aty ku presidenti tentoi të zhvillonte takimin e G7-ës gjatë mandatit të tij të parë, duke u tërhequr vetëm pas ankesave të republikanëve se kishte interes vetjak të tepërt – ankesa që nuk po dëgjohen këtë radhë.

Ndërsa Z. Putin u përjashtua nga G7-ta dhe grupe të tjera pas aneksimit të Krimesë më 2014-ën, Z. Trump ka qenë gjithnjë i etur ta rikthejë atë në arenën ndërkombëtare. Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një mandate arresti për Z. Putin lidhur me akuza për krime lufte në vitin 2023, por Z. Trump e injoroi atë, duke e ftuar rusin në Alaskë vitin e kaluar – dhe këtë javë e denoncoi gjykatën gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku e quajit “një grup njerëzish djallëzorë,” teksa administrata e tij përpiqet që ta zhbëjë.

Tërheqja e Z. Trump ndaj despotëvë, tiranëve dhe autokratëve i ka hutuar liderët demokratikë dhe diplomatët, si edhe ka riorientuar politikën e jashtme amerikane gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai admiron njerëz si Kim Jong-un i Koresë së Veriut (“ramë në dashuri”), Abdel Fattah el-Sisi i Egjiptit (“diktatori im i preferuar”), Recep Tayyip Erdogan i Turqisë (“një mik i mirë i imi), Mohammed bin Salman i Arabisë Saudite (“më pëlqen shumë”) dhe Nayib Bukele i El Salvadorit (“president i jashtëzakonshëm”).

Në dallim me këtë, ai konfliktohet vazhdimisht me liderët e aleatëve tradicionalë, si Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia. Ai përqeshi Volodymyr Zelenskyn, presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, duke e quajtur “një dictator pa zgjedhje,” ndërsa nuk shfaqi asnjë shqetësim për Z. Putin, zgjedhjet e të cilit janë dokumentuar si thellësisht të manipuluara. Ai bëri që SHBA-të të votonin krahas Koresë së Veriut, Bjellorusisë dhe Sudanit vjet, kundër rezolutës së OKB-së që dënonte pushtimin rus të Ukrainës dhe së fundi është afruar me diktatorin e Bjellorusisë, Aleksandr G. Lukashenko.

Në shtëpi, Z. Trump grindet rregullisht me mediat vendase, duke i shpallur gazetarët si “armiq të popullit,” një frazë e përdorur nga Stalini për të dënuar disidentët. Më shumë se cilido president tjetër amerikan në historinë moderne, Z. Trump ka nisur fushata të gjra kundër medias së pavarur, përmes padive miliona dollarëshe, presionit nga Komisioni Federal i Komunikacionit, padi ndaj reporterëve, ndalimin e The Asocciated Press në Shtëpinë e Bardhë dhe kufizime që praktikisht i kanë nxjerrë reporterët jashtë Pentagonit.

Por, këtë të enjte Z. Trump dukej i pashqetësuar nga mesazhet konfuze që po dërgonte duke mirëpritur mediat shtetërore kineze, ndërkohë që nxirrte jashtë ato amerikane si pjesë e asaj që ai e cilëson “ndalimin e shtypit të lirë.” Nga ana tjetër, ai dukej i bezdisur nga fakti se beteja ende e pazgjidhur nënkuptonte se bojkoti nga kamerat e rrjeteve televizive nuk do ia transemtonte kombit festën e tij.

Në një postim në rrjetet sociale më vonë gjatë ditës, Z. Trump e lëvdoi Z. Xi, duke e quajtur “Presidenti i shumërespektuar i Kinës” dhe komplimentoi “bashkëshorten e tij të bukur, Madam Peng,” ndërsa akuzoi CNN dhe MS NOW se kishin “zero kredibilitet” dhe ishin “Fake Neës.” Një raport i Shtëpisë së Bardhë tregoi se në një pikë gjatë ditës, Z. Trump “tha me shaka se kinezët kishin trupën më miqësore të shtypit.”

Çka sigurisht varet nga përkufizimi i termit “miqësore.” Kina ushtron një kontroll me grusht të hekurt mbi shtypin dhe ka burgosur të paktën 111 gazetarë dhe punonjës të medias, sipas Reporterëve Pa Kufij, duke u bërë kështu “burgu më i madh i botës për gazetarët.” Nga 180 vendet që grupi i rendit në lirinë e shtypit, Kina renditet thuajse e fundit, në vendin 178-të, duke dalë vetëm mbi Korenë e Veriut dhe Eritrenë. (SHBA-të kanë rënë në vendin e 64-ët nën presidencën Trump.”

“Trump nuk dëshiron thjesht të takohet me Xi-n — ai dëshiron ta kopjojë atë”, shkroi në rrjetet sociale senatori Chris Coons, demokrat nga Delaëare dhe anëtar i lartë i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, duke përmendur sulmet ndaj shtypit, politizimin e sistemit të drejtësisë dhe spastrimet në administratën publike.

Edhe disa republikanë, ndonëse nuk e kundërshtuan hapur ndalimin e mediave nga Z. Trump, shprehën zhgënjim që presidenti, në përpjekje për të fituar simpatinë e udhëheqësit të njërit prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, ishte kaq i gatshëm ta mbulonte Z. Xi me lajka dhe nderime, duke anashkaluar shtypjen shtetërore në Kinë.

“Gjatë çdo minute të bisedimeve, komandanti ynë i përgjithshëm duhet të mbajë parasysh se i ftuari i tij është një diktator brutal, i pazgjedhur dhe shtypës, i cili kërkon të dominojë fqinjët e vet dhe arsenalin e tij të stërmadh ushtarak e ka drejtuar pikërisht kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi senatori Roger Ëicker nga Misisipi, kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura.

Megjithatë, ky nuk ishte mesazhi që po theksohej në Shtëpinë e Bardhë, ku këshilltarët e presidentit këtë javë u përpoqën t’i zëvendësonin mediat që ai kishte tentuar të ndalonte, duke nisur në internet “Trump TV”, televizionin e tyre — një formë televizioni shtetëror që Z. Xi mund ta gjente familjare. Sigurisht, edhe kjo është një mënyrë që Z. Trump të ketë trupën e vet të gazetarëve, më miqësoren e mundshme.

Lini një Përgjigje