Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ish-presidenti amerikan Joe Biden e ka “tradhtuar” ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke kritikuar Shtetet e Bashkuara për mungesën e mbështetjes ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Kjo deklaratë e Ramës është bërë gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York. Duke folur për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara, Rama u ndal veçanërisht te Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Hagë pas procesit të zhvilluar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas tij, Uashingtoni mund të kishte bërë më shumë për ish-krerët e UÇK-së dhe veçanërisht për Thaçin.
“Më lejoni të them disa fjalë pa mbajtur një fjalë tjetër të gjatë. Dua së pari të falënderoj Ilirin dhe Martinin për këtë ftesë bujare. I kërkoj ndjesë gjithëkujt që ndoshta do ndihet disa i shpërfillur, por mund të them se gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot, është të isha ulur krah kumbarit të komunitetit shqiptar, zotit Sal Rusi.
Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij, më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar në strehën e tij, ai është në strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi, ai nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden që e emërtoi Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Klark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin.
Kur them tradhtuar, është sepse ne si vend i vogël ndihemi miq me SHBA-të, më të mëdhenjtë e më të fortët. Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste. Gjeneral, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal”, tha mes të tjerash Rama.
