Lëvizje në qeveri/ Oltjon Muzaka kalon nga Ministria e Shëndetësisë te Punët e Brendshme

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime emërimesh dhe shkarkimesh në institucione dhe ministri.
Oltjon Muzaka është liruar nga detyra si zv.ministër i Shëndetësisë dhe Punës Sociale dhe është emëruar si zv.ministër i Brendshëm. Muzaka do të jetë zëvendësi i ministrit të ri emëruar pak ditë më parë Ervin Demo.
Më herët Muzaka ka Muzaka ka punuar edhe si jurist pranë Kryeministrisë, në Departamentin e Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit (2014-2016). Gjithashtu, më pas ka patur dhe disa detyra në ministri të ndryshme: Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (2023-2024), si dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (2021-2023), në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (2020-2021), Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (2019-2020), si edhe Ministrinë e Kulturës (2017-2019).
Sakaq, në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar lirimi nga detyra i Emiljano Gjikës si kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, detyrë që këtej e tutje do të mbahet nga Ina Zeqaj.
Njoftimi i Kryeministrisë:
-Z. Emiliano Gjika, kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, lirohet nga kjo detyrë.
-Znj. Ina Zeqaj emërohet kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve.
-Z. Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme.


