“Shqipëria ka ndryshuar”, Rama fjalim në mbrëmjen gala në New York: Sot korrupsioni luftohet çdo ditë
Kryeministri Edi Rama ka folur për ndryshimet që, sipas tij, ka pësuar Shqipëria gjatë viteve të fundit, duke veçuar zhvillimin ekonomik, rritjen e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë fjalimit në mbrëmjen gala të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork, Rama u ndal te zhvillimi i aeroportit të Tiranës dhe rritja e numrit të udhëtarëve.
“Sa shumë ka ndryshuar Shqipëria gjatë këtyre viteve. Askush nuk ta fal suksesin. Po, është viti i pestë a i gjashtë, që kemi aeroportin më të madh në rajon. Duke qenë shumë i madh jo vetëm në terma relative, që është aeroporti me rritjen më të madhe në Europë, por edhe me shifra absolute, me më shumë udhëtarë se aeroporti i Beogradit. Do të vazhdojë sepse është vetëm fillimi”, deklaroi ai.
Duke folur për korrupsionin, kryeministri tha se Shqipëria ka ndryshuar edhe në mënyrën se si institucionet përballen me këtë fenomen.
“Dikur në Shqipëri, korrupsioni ishte gjithkund dhe lufta askund. Sot shohim diçka ndryshe. E shohim sepse sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitetin e vet. Është fjala për një sistem pushtetesh të pavarura që funksionojnë me gjithë defektet, problemet dhe nevojën për t’u rritur, por sidoqoftë duke shfaqur çdo ditë faktin që ky nuk është vendi ku mund të ecësh dorë për dore me korrupsionin pa asnjë pasojë”, u shpreh Rama.
Ai përmendi gjithashtu ndryshimet në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, duke theksuar ndalimin e gjuetisë, zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe masat për pyjet.
“Ky është sukses i madh për një vend ku 10 vjet më parë, kafshët dhe shpendët masakroheshin nga mijëra gjuetarë europianë që kalonin në kufirin tonë, që të bënin festë pa rregulla e kontrolle, të vrisnin majtas dhe djathtas duke lënë pirgje zogjsh të ngordhur. Sot vendi proteston për biodiversitetin, vetëm 10 vjet më vonë, pasi ndaluam gjuetinë, rritëm zonat e mbrojtura dhe pasi ndaluam shfrytëzimin e pyjeve, rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve, rritëm shumëfish si kurrë më parë sipërfaqen e pyjeve të rikuperuara”, tha kryeministri.
Në përfundim, Rama tha se ndryshimi i Shqipërisë ka sjellë edhe rritjen e pritshmërive të qytetarëve.
“Tashmë kemi një Shqipëri të re. Njerëzit duan më shumë. Shqipëria ku njerëzit jetonin me idenë se mund të jetë më keq nuk ekziston më”, deklaroi Rama.




