E premte, 25 Shtator 2026 Fat i Hidhur 2 Eps.) deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 4 sekonda më parë
Politikë

“Ky vend e tradhtoi Hashim Thaçin”, Rama nga New York: SHBA nuk bëri më të mirën për George Washington-in e Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kishin bërë më shumë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Gjatë fjalës së tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York, Rama u ndal te mungesa e Thaçit dhe tha se ai është një prej personave që i mungon komunitetit shqiptar në SHBA.

“Hashim Thaçi nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e emërtoi Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, e tradhtoi”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar argumentoi se, pavarësisht përpjekjeve të disa personaliteteve amerikane, përfshirë gjeneralin Wesley Clark, SHBA-ja nuk kishte bërë gjithçka që mund të bënte për Thaçin.

Reklamë

“Edhe pse Gjenerali Klark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, tha Rama.

Duke shpjeguar përdorimin e termit “tradhti”, Rama tha se shqiptarët e shohin SHBA-në si një aleat dhe mik të rëndësishëm dhe se, pikërisht për këtë arsye, sipas tij, pritshmëritë ndaj Washingtonit kanë qenë më të mëdha.

“Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, deklaroi Rama, duke iu drejtuar edhe gjeneralit Wesley Clark me një falënderim për kontributin e tij.

Hashim Thaçi dhe tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rama e ka bërë prej kohësh pjesë të deklarimeve të tij publike shqetësimin për procesin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.