Kombëtarja shqiptare ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve, që zhvillohet të shtunën në orën 20:45 kundër Bjellorusisë. Në prag të këtij takimi, në konferencë për shtyp doli trajneri Rolando Maran i cili nuk preferoi të zbulonte asgjë nga formacioni, por saktësoi se Kristjan Asllani do të jetë i gatshëm.
Krah Maran ishte edhe kapiteni i Kombëtares Berat Gjimshiti, i cili e pranoi se objektivi vendi i parë në grup sjellë edhe presion.
Konferenca e Maran dhe Berat Gjimshiti
Trajneri Maran: “Bjellorusia dhe taktika ndaj tyre? Bjellorusia ka treguar se është skuadër kompakte e fortë, po bën një rrugëtim të mirë dhe kemi shumë respekt për këtë skuadër, këtij ekipi që do zbresë në fushë. Por përtej kësaj, ndalem këtu, se jam mësuar të përqendrohem te ekipi im që është përgatitur në mënyrë fantastike. Kam parë dëshirën për të punuar dhe për të gjetur stimujt e duhur përtej kundërshtarit, për mua kjo është gjëja më e rëndësishme, që të përqendroheshim te cilësitë tona. Cilësinë tonë të karakterit e kam parë, kam parë sy të ndryshëm, kam parë dëshirë për të bërë, për të provuar e gabuar, por për të gabuar në aspektin që të mund të përmirësohemi. Për mua janë këto kushtet e duhura për të përballuar këtë ndeshje ndaj një skuadre që respektojmë shumë.
Formacioni dhe dyshimet? Po, nesër nis me të vërtetë aventura ime si trajner i Shqipërisë, është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë, e kjo më stimulon më shumë. Idetë janë të qarta, kemi pasur ndonjë problem fizik, më është dashur të lë pushim lojtarët sidomos në një repart që kemi pasur mungesa. Por kush do të shkojë në fushë, do të shkojë për të bërë një ndeshje të mirë.
E vërtetë që disa nga lojtarët nuk kanë pasur mundësinë që të stërviten vazhdimisht. Nga mungesa, kemi provuar gjëra të reja dhe kam marrë disa përgjigje shumë të mira. Asllani dhe Shehu do të jenë të dy në stërvitje sot. Mbrëmjen e sotme do kem hapësira për të zgjedhur rrugën e duhur. Kanë qenë ditë impenjative, por që më kanë dhënë përgjigje shumë të mira. Dhe nëse disa lojtarë nuk do kenë mundësi të luajnë 90 minuta, kjo na jep mundësinë për të zgjedhur dhe për të zbritur në fushë një skuadër që është e gatshme për të luftuar dhe për të bërë më të mirën.
Balliu nuk u zëvendësua? Në fakt nuk jam i shqetësuar. Kemi lojtarë të tjerë për mënyrën si dua ta interpretoj lojën. Është Sina, varet çfarë do kërkoj. Ismajli ka luajtur si mbrojtës i djathtë dhe besoj do kemi zgjedhje.
Lojtarët? Padyshim tani i njoh më shumë. Kam fatin që kisha, përveç grumbullimit të parë, edhe këto muaj për t’i parë direkt apo për ti parë me video. Padyshim për mua është ndryshe tani, tani kam ide më të qartë, edhe pse i njihja më përpara, por duke u thelluar. Janë lojtarë të cilëve u kam njohur disa karakteristika që nuk i njihja në detaj. Pastaj lojtarët ndryshojnë në momente të sezonit, ka lojtarë që po vuajnë apo janë në ngritje. Unë duhet të jem i vëmendshëm, nuk është vlerësim përfundimtar por edhe i momentit me klubet e tyre apo edhe me ne. Të them emra është e vështirë, jam munduar të thërras ata që janë në gjendje të mirë, apo më të përshtatshmit. Në disa role jemi pak në vështirësi, por kjo është zgjedhja ime, edhe pas shumë pune të bërë.
Ndryshim skeme gjatë ndeshjes? Bjellorusia po vjen nga një periudhë e mirë, ka bërë rezultat në 6 ndeshje radhazi e do të thotë diçka. Për ne duhet të jetë stimul, përtej respektit ndaj kundërshtarit që duhet të çojmë nivelin e vendosmërisë dhe gjatë ndeshjes ka më shumë solucione dhe kam fatin që mund të zgjedh në bazë të lojtarëve e zgjidhjeve që kam në mendje. Ne kemi punuar në më shumë se një gjë për të përballuar momentet e ndeshjes. Shpesh ka ndeshje brenda ndeshjes dhe duhet të jemi të aftë t’i interpretojmë e ne jemi përgatitur për këtë.
Lojtarë bjellorus? Nuk më kujtohen emrat. Kam vënë re që janë persona shumë punëtorë dhe fizikisht shumë të aftë, janë gjithmonë në krye të punës.
Qëllimi ynë është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të mos humbasim ekuilibrin. Nuk ka rëndësi të kesh gjithmonë topin në posedim, por çfarë bëjmë në momentin që e kemi topin dhe nëse e humbasim, si e interpretojmë lojën. Ka ndeshje brenda ndeshjes. Nga ndeshjet e muajit qershor, kemi marrë disa mësime sa i përket mënyrës si kemi reaguar kur kemi humbur topin. Rezultati jo gjithmonë përcaktohet nga detaje të tilla, por fokusi është të bëjmë ndeshjen më të mirë nesër.
Sigurisht që gjatë një ndeshje do të ketë vështirësi, por duhet të jemi të fortë, me kurajo dhe koshientë mbi të gjitha për punën që kemi bërë. Dhe atë ta interpretojmë në fushë”, tha trajneri.
Çfarë deklaroi kapiteni Berat Gjimshiti:
“Besoj që kam gjetur skuadrën shumë mirë. Kemi pasur pak më shumë kohë se sa ishte fundi i sezonit të kaluar. Na nevojiteshin këto ditë për të mësuar dhe ushtruar idetë e trajnerit. Frymë dhe lojtarë të rinj. Është frymë shumë pozitive në kombëtare. Etriti është rikthye, lojtar kyç dhe me eksperiencë. E njoh dhe kam luajtur bashkë në Itali, do i japë një dorë të rinjve në kombëtare dhe t’u tregojë vlerat e kombëtares.
Ndoshta i kam hapur rrugën Asllanit(qesh). Ka qenë vendimi im, bashkë me Atalantën në atë kohë. Nga jashtë nuk duket fort, është e mirë apo dobët si ligë, sepse nuk e japin të gjithë televizionet. Është ligë shumë e vështirë. Ka shumë lojtarë me cilësi që kanë ardhur nga Europa në 3-4 vitet e fundit. Nuk është aq e thjesht siç duket. Sidomos për mbrojtësit sepse çdo ekip ka një sulmues me emër. Për mua është sfidë e madhe si mbrojtës.
Premtimi është se do japim maksimumin, do jemi të gjithë bashkë si në fitore dhe në humbje. Duam vendin e parë, të kemi mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi dhe kjo është rruga duhur.
Rreshtimi? Në këto vite kam pasur disa trajnerë dhe taktika të ndryshme. Në kohët e fundit kam folur shumë me Maran, për taktikat dhe gjëra të tjera. Mendoj se do vendosë më të mirën për ekipin, të përshtaten të gjithë lojtarët dhe ajo që na hap rrugën për suksesin. A luajmë me 3 apo 4, nuk besoj se ndryshon shumë dhe atë e vendos trajneri në fund.
Ke një presion në këtë grup, të gjithë dhe nga jashtë dhe ne kemi pretendime për vendin e parë. Unë kam shikuar gjithmonë për maksimumin. Nuk kishim fat me Poloninë për Botëror dhe do ishte arritje e madhe. Prapë do shikojmë, ta përsërisim këtë Europian. Pse jo për herë të tretë.
Grupi dhe fryma në ekip është më e rëndëishme, ose mentaliteti, se sa kur të zbresësh në fushë. Gjithçka është në kokë. Këtë kemi stërvit. Në verë, trajneri ka pasur idetë e tij por nuk kishim aq kohë”, u shpreh Gjimshiti.









Komente
Komento