Në fjalën e mbajtur në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork, kryeministri Edi Rama u ndal te disa prej zhvillimeve që, kanë ndryshuar pamjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.
Rama foli për luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e biodiversitetit, marrëdhëniet me diasporën, rritjen ekonomike dhe investimet e huaja që vendi ka arritur në dekadën e fundit, duke theksuar nevojën që Shqipëria të synojë më shumë dhe të mos ketë frikë nga ambiciet e saj.
“Martini në fjalën hapëse nuk harroi të përmendte korrupsionin, por varet shumë se si nga e sheh dhe e çuditshme është që ajo çfarë shqiptarët e shohin si problem, partnerët europianë e shohin si sukses. Sepse pyetja është, “a mund të ketë një vend më shumë korrupsion në rast se korrupsioni luftohet çdo ditë? A është e vërtetë që në një vend, ku korrupsioni është gjithkund, lufta kundër korrupsionit të ndodhë çdo ditë’’? Jo, nuk është. Ka pasur një kohë në Shqipëri ku korrupsioni ishte gjithkund e lufta kundër korrupsionit askund.
Sot shohim diçka krejt ndryshe. Dhe pa gjejeni. E shohim sepse sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitetin e vet, dhe nuk është më fjala thjesht për një udhëheqës apo një qeveri. Është fjala për një sistem pushtetesh të pavarura, që funksionojnë me gjithë defektet e tyre, me gjithë problemet e tyre dhe me të gjithë nevojën për t’u rritur e për t’u pjekur më tej, por sidoqoftë duke shfaqur çdo ditë faktin që nuk është më ky vendi ku mund të ecësh dorë për dorë me korrupsionin pa pasur asnjë pasojë. Dhe ky është një sukses i madh, ashtu siç është sukses i madh fakti që në një vend, ku deri 10 vjet më parë, kafshët dhe shpendët masakroheshin nga mijëra e mijëra gjuetarë europianë, që kalonin nëpër kufirin tonë që të bënin festë pa asnjë rregull, pa asnjë kontroll e të vrisnin majtas e djathtas duke lënë pas pirgje zogjsh të ngordhur, që u shndërruan në turpin e vendit tonë në faqet e ‘’National Geographic’’, sot vendi proteston për biodiversitetin. Vetëm 10 vjet më vonë, pasi ndaluam gjuetinë, pasi rritëm zonat e mbrojtura, pasi ndaluam shfrytëzimin e pyjeve, pasi e rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve në vendin tonë, pasi rritëm shumëfish si kurrë më parë sipërfaqen e pyjeve të rikuperuara, tashmë kemi një ndjesi të re në një Shqipëri të re. Njerëzit duan më shumë.
Shqipëria ku njerëzit jetonin me idenë se mirë është se mund të jetë më keq nuk ekziston më. Sot nuk është mirë sepse mund të jetë më mirë dhe ky është një sukses i madh, siç është sigurisht një sukses i madh që jemi shumë herë më afër se ç‘ishim me diasporën shqiptare dhe po përgatitemi të hedhim një hap tjetër përpara: po përgatisim Bonot e Diasporës që më së fundi ta çojmë në një tjetër nivel përfshirjeje Diasporën sa i takon pjesëmarrjes në rritjen e vendit.
Sali më ngacmoi kur dëgjoi që PBB-ja jonë është 30 miliardë dollarë, por më duhet t’i thoja që nisëm me 12 miliardë, janë vetëm 10 vjet, është rritur me 2.5 herë dhe do të rritet edhe më shumë. Por si? Duke sjellë më shumë investime dhe po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda jo vetëm me projektin e famshëm, por edhe të jashtëzakonshëm Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha që kemi në proces e sipër.
Kështu që është një moment në kohë në Shqipëri që gjërat janë shumë të qarta, pasi kemi tejkaluar një epokë poshtërimi ku ishim ata që tregoheshin me gisht në Europë, ku të thoje që je shqiptar gjeje belanë, ku kushdo që donte të fitonte një palë zgjedhje në ndonjë vend evropian e kishte të lehtë duke treguar shqiptarët si delja e zezë.
Dhe tani, ndërkohë që kemi ardhur në një pikë ku gjithçka mund të jetë më mirë, na duhet të bëjmë zgjedhjen për të ëndërruar shumë më tepër pa pasur frikë. Për të kuptuar që ta bëjmë PBB-në aq të lartë sa Sal të mos qeshë më na duhet të bëjmë shumë më tepër me më shumë kurajë, pa përjashtuar në një betejë të pakuptimtë ideologjike zhvillimin e mbrojtjen e mjedisit dhe pa fajësuar të huajt që “po vijnë e po na marrin tokën”.
Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm e më të turpshëm që u bë shumë i dëgjuar në Shqipëri: ‘Shqipëria u përket shqiptarëve. Po në qoftë se do të kish qenë po e njëjta gjë për ato vende ku shkuan shqiptarët e lulëzuan për më tej, të gjithë ne nuk do të kishim mundur të bënim asnjë gjë, thjesht do të kishim ndenjur në shtëpi.
Kështu që imagjinojeni për një moment nëse Amerika do t’u përkiste amerikanëve dhe të gjithë shqiptarët do të shkonin në shtëpi; Italia u përket italianëve, të gjithë shqiptarët shkojnë në Shqipëri; dhe Greqia u përket grekëve dhe të gjithë shqiptarët kthehen në shtëpi, ku do të ishim? Do të ishim në epokën neonaziste 4.0. Jo, Shqipëria i përket Zotit dhe mikut, ashtu siç shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut dhe sigurisht është shtëpia e shqiptarit, por në shtëpinë e shqiptarit duhet të ketë vend për gjithkënd që bujt e vjen, qoftë për strehë e qoftë për të ofruar ndihmë.”, tha Rama
Top Channel