Fshati Vuno në Himarë merr zyrtarisht statusin e “Qendrës Historike”, pas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Përmes këtij vendimi, Vunoja deklarohet pasuri kulturore e paluajtshme, ndërsa përcaktohet edhe zona mbrojtëse që rrethon qendrën historike. Krahas kësaj, Qeveria ka miratuar planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj.
Sipas vendimit, kufijtë e qendrës historike dhe zonës mbrojtëse përcaktohen përmes hartave të zonifikimit dhe koordinatave të sistemit zyrtar gjeodezik shqiptar, të cilat janë pjesë përbërëse e dokumentacionit të miratuar.
Në të njëjtën kohë, vendimi i ri shfuqizon vendimin e vitit 2016 për shpalljen e Qendrës Historike të Vunos dhe rregulloren për administrimin e saj dhe të zonës së mbrojtur përreth.
Për zbatimin e masave të reja janë ngarkuar disa institucione, mes tyre Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Himarë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
Vendim për deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “qendër historike” të fshatit Vuno, përcaktimin e zonës mbrojtëse dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Qendër historike” të fshatit Vuno dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e “Qendrës historike” të fshatit Vuno dhe të zonës mbrojtëse të saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Vendimi nr.30, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Vuno dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj të zonës së mbrojtur përreth”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Qendrës historike” të fshatit Vuno dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kadastrën.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
