Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

100 apo 15 bashki? Demokratët e socialistët bëjnë lëvizjen e radhës, PD i dërgon draft ligjin Kuvendit, mazhoranca kërkon aprovimin e Peleshit

Shkruar nga Newsbomb
100 apo 15 bashki? Demokratët e socialistët bëjnë
Ilustrim

Ditën e sotme Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend ligjin për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri, nga ku mësohet se kanë propozuar që vendi të ketë në total 100 bashki dhe 12 qarqe.

Përgjatë propozimit të tyre, demokratët sqarojnë se ata nuk duan që të shtojnë numrin e bashkive për të rritur më shumë endet e punës, por me idenë që vendi të ketë më shumë zyra dhe të funksionojë më shumë si një vend demokratik. Ndërsa shtojnë se ky propozimi për pothuajse dyfishimin e bashkive në vend bëhet në të mirën e qytetarit dhe të zhvillimit të territorit.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk e konsideron Reformën Administrativo-Territoriale një betejë për numrin e bashkive. Çështja themelore është modeli i pushtetit vendor që Shqipëria dëshiron të ndërtojë. Ne nuk propozojmë më shumë bashki për të krijuar më shumë poste. Propozojmë bashki funksionale aty ku ato janë të nevojshme për të krijuar: më shumë afërsi, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë shërbime, më shumë autonomi dhe më shumë zhvillim.

Nuk propozojmë 12 Qarqet për të krijuar një nivel burokracie. Propozojmë struktura që të krijojnë: zhvillim, koordinim, investime dhe mundësi të reja për territorin. Mbi të gjitha, nuk propozojmë një hartë që i shërben administrimit të pushtetit. Propozojmë një hartë që i shërben qytetarit, komunitetit dhe zhvillimit të territorit” shkruhet në draft ligjin e depozituar nga ana e demokratëve në Kuvend.

Në përmbyllje të draft ligjit të tyre, nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike shkruhet: Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon: 100 BASHKI + 12 QARQET të mbështetura nga: Decentralizim Real; Autonomi Financiare; Kompetenca të Qarta; Përgjegjësi dhe Llogaridhënie; Demokraci Lokale; dhe Zhvillim të Balancuar Territorial.

Nga ana tjetër mësohet se dhe mazhoranca ka kërkuar nga ana e Kuvendit mendimin e saj për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Nëpërmjet një njoftimi të ndarë nga Agjencia për Media dhe Informim mësohet se Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime, në mesin e të cilave renditet dhe: Dhënia e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Kujtojmë se mazhoranca ka propozuar shkrirjen e 61 bashkive në 46 të tilla, ndërsa opozita ka propozuar thuajse dyfishim të tyre me synim për të pasur në rang vendi 100 bashki dhe 12 qarqe.

Njoftimi i plotë:

Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 25.09.2026.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimet për:

 -Deklarimin Pasuri Kulturore e Paluajtshme “Qendër Historike” të fshatit Vuno, përcaktimin e zonës mbrojtëse dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre.

-Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në cilësinë e financuesit, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP)

-Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”

-Rishpërndarje fondesh në buxhetin e miratuar për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Inspektoratit të Përgjithshëm.

-Propozimin e projektligjit “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të memorandumit të mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr.9852, datë 26.12.2007”.

 Njëherësh u miratuan edhe disa emërime dhe shkarkime të drejtuesve të institucioneve

-Z. Emiliano Gjika, kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, lirohet nga kjo detyrë.

-Znj. Ina Zeqaj emërohet kryetar i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve.

-Z. Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

100 apo 15 bashki? Demokratët e socialistët bëjnë
 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese