Protesta në New York/ Rama pas incidentit me vezët: Nuk më ndalin dot me jargë e baltë, pula histerike

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale, pas incidentit të një dite më parë në Nju Jork, ku u sulmua në rrugë me vezë nga disa shqiptarë.
Në reagimin e tij, Rama thekson se nuk ka baltë, vezë dhe jargë që do ta ndalë atë në misionin për të ngritur sa më lart flamurin kombëtar.
“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se ç’ka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli, po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson gjithashtu se sot në Shqipëri ka tjetër standard. Koha kur vendi i zhytur në korrupsion nuk ekziston më, pasi sot të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Postimi i Ramës:
Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!
Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:
Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!
Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës?


