Aktualitet

Turizmi ngadalësoi në gusht, në tetë muaj regjistrohen 9.4 milionë hyrje të huajsh, 5.3% më shumë se në 2025

Pas vitesh rritje të shpejtë shifrash, turizmi shqiptar duket se po hyn në një fazë tjetër, atë të ngadalësimit.

Në gusht, muajin tradicionalisht më të kërkuar të sezonit, në Shqipëri hynë 2.4 mln shtetas të huaj. Sipas INSTAT, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar janë rreth 47 mijë më shumë, por rritja është vetëm 2%.

Një ritëm dukshëm më i ulët se ai i viteve të bumit turistik pas pandemisë, kur Shqipëria regjistronte rritje shumë më të shpejta të flukseve turistike.

Megjithatë, numri total i vizitorëve të huaj mbetet në nivele rekord. Në 8 muajt e parë të vitit, në vend kanë hyrë 9.4 mln turistë, 5.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2025-ës, kur ishin regjistruar rreth 8.9 mln hyrje.

Por kush po e mban këtë rritje?

Kosova vijon të jetë tregu kryesor. Në strukturat akomoduese, në korrik shqiptarët nga Kosova përbënin 18% të vizitorëve të huaj, e ndjekur nga Italia dhe Polonia. Pas tyre vinin Franca dhe Gjermania.

Edhe në gusht rritja nuk është e njëjtë për të gjithë flukset. Hyrjet totale të shtetasve, shqiptarë dhe të huaj, arritën në 3.4 mln ose 2.7% më shumë se një vit më parë.

Por ndërsa hyrjet rriten me ritëm modest, daljet janë shtuar më shpejt. Në gusht dolën nga Shqipëria 3.5 mln shtetas, nga të cilët rreth 1 mln shqiptarë zgjodhën destinacionet jashtë vendit.

Shqipëria vijon të tërheqë më shumë vizitorë se një vit më parë, por gushti solli sinjal ngadalësimi. Sipas ekspertëve të tregut, problem ngelet disavjeçar kthimi i flukseve në më shumë qëndrime, më shumë konsum dhe të ardhura.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.