Lajmet e fundit

Naomi Campbell mahnit në Milano me fustanin shkëlqyes, supermodelja duket se ka gjetur shtëpinë e re?

Naomi Campbell ka tërhequr sërish vëmendjen në Milano, këtë herë me një paraqitje spektakolare gjatë Javës së Modës.

Supermodelja 56-vjeçare u shfaq në një mbrëmje në klubin Twiga, ku jo vetëm mori pjesë si e ftuar, por edhe u ngjit pas konsolës si DJ.

Për këtë dalje, Campbell zgjodhi një fustan të gjatë dhe shkëlqyes, me dekolte të theksuar, duke e kombinuar pamjen me aksesorë elegantë. Paraqitja e saj u kthye shpejt në një nga momentet e komentuar të mbrëmjes.

Por përtej modës dhe eventeve, vëmendjen po e merr edhe një tjetër detaj nga jeta e modeles: lidhja e saj gjithnjë e më e fortë me Milanon.

Sipas raportimeve të fundit, Campbell ka vendosur ta bëjë qytetin italian bazën e saj të re, duke u larguar nga Londra, qyteti ku ka lindur dhe është rritur.

Spekulimet për zhvendosjen nisën të marrin më shumë peshë pasi modelja publikoi në rrjetet sociale disa fotografi nga Milano, të shoqëruara me hashtagun “#CASA”. Në imazhe, ajo shfaqej duke shëtitur me dy qentë e saj në zonën e Porta Garibaldi, ndërsa në sfond dallohej panorama e qytetit.

Raportimet bëjnë me dije se Campbell ka marrë një pronë në një nga zonat më ekskluzive të Milanos, duke e kthyer qytetin në bazën e saj të re.

Zgjedhja e Milanos nuk duket krejtësisht e rastësishme për Campbell.

Qyteti italian ka qenë prej dekadash një prej pikave më të rëndësishme në karrierën e saj. Në fund të viteve ’80, kur ishte ende adoleshente, Milano ishte ndër qytetet që ndihmuan në nisjen e karrierës së saj ndërkombëtare në modë.

Edhe sot, Campbell vazhdon të jetë një nga figurat më të pranishme në eventet e rëndësishme të industrisë së modës.

Gjatë qëndrimit të saj të fundit në Milano, ajo mori pjesë edhe në Vogue World, ndërsa më pas u shfaq në Twiga, ku performoi si DJ.

Modelja ka publikuar gjithashtu një fotografi me sipërmarrësin Leonardo Maria Del Vecchio, me të cilin ka një miqësi prej vitesh. Postimi shoqërohej me fjalën “Project” dhe një flamur italian, duke nxitur spekulime për projekte të reja profesionale mes tyre.

Campbell ka lindur në Londër dhe për shumë vite kryeqyteti britanik ka qenë një nga bazat e saj kryesore. Megjithatë, vitet e fundit ajo ka pasur një jetë gjithnjë e më ndërkombëtare, duke kaluar kohë mes vendeve të ndryshme.

Ajo zotëron prona në New York dhe Kenia, ndërsa në të kaluarën ka jetuar edhe në Moskë.

Tashmë, Milano duket se po merr një rëndësi të veçantë për supermodelen. Nëse raportimet për zhvendosjen konfirmohen plotësisht, qyteti italian do të bëhet një kapitull i ri në jetën e Campbell, e cila rikthehet aty ku nisi një pjesë e rëndësishme e karrierës së saj, por këtë herë jo vetëm për Javën e Modës.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.