TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një hetim për një skandal që lidhet me fondet e investimeve ka çuar në arrestimin e 45 personave në Turqi.
Autoritetet turke bëjnë me dije se procedurat ligjore kanë nisur ndaj 76 të dyshuarve, ndërsa 45 prej tyre janë arrestuar. Lajmi është bërë i ditur nga ministri turk i Drejtësisë, Akin Gyrlek, përmes një postimi në rrjetin social X.
“Janë sekuestruar asetet e të gjithë pronarëve të fondeve dhe të dyshuarve që mbajnë pozicione drejtuese. Asetet e anëtarëve të drejtpërdrejtë të familjeve të tyre janë ngrirë”,deklaroi ministri.
Sipas mediave turke, mes personave të arrestuar është edhe Erkan Kilimci, ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Turqisë.
Prokurorët po hetojnë aktivitetet e dyshuara mashtruese të 131 fondeve të investimeve, të administruara nga shtatë kompani. Sipas përllogaritjeve të mediave turke, asetet e tyre kapin një vlerë totale prej më shumë se 826 miliardë lirash turke, rreth 15 milionë euro.
Të shtatë kompanitë u vendosën në likuidim më 17 shtator nga Autoriteti Turk i Tregjeve të Kapitalit (SPK). Sipas autoritetit, ato administronin asetet e më shumë se 455 mijë investitorëve individualë.
Ndërkohë, ministri i Financave, Mehmet Simsek, ka mohuar zërat për dorëheqjen e tij.
Përmes një postimi në X, ai i cilësoi këto raportime si “të pabazuara”, duke theksuar se spekulimet që synojnë stabilitetin ekonomik të vendit nuk duhet të merren seriozisht.
Problemet nisën më 28 gusht, kur SPK nxori udhëzime të reja, duke u kërkuar fondeve që të mos investonin më të gjitha asetet e tyre në një aksion të vetëm dhe të diversifikonin portofolet.
Për t’iu përshtatur rregullave të reja, fondet nisën të shisnin aksione, ndërsa investitorët filluan të tërhiqnin paratë e tyre. Më pas, disa prej fondeve deklaruan se nuk ishin në gjendje t’i kthenin asetet në para mjaftueshëm shpejt.
Hetimi përqendrohet veçanërisht te dyshimet për krim të organizuar, mashtrim ndaj shtetit, shkelje të legjislacionit për tregjet financiare, si dhe evazion fiskal.
Ndërkohë, janë shtuar pikëpyetjet mbi arsyen përse autoritetet rregullatore nuk ndërhynë më herët në këtë çështje.