Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e ndryshon bindjen e popullit të Kosovës, dikur i shtypur, për luftën e UÇK-së.
Të lidhura
None found
Kjo u theksua të premten në Podujevë, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Në tubim morën pjesë veteranë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë, të cilët kundërshtuan aktgjykimin dhe shprehën mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së, duke bërë thirrje për unitet.
Gjatë protestës u përmendën viktimat civile dhe pasojat që lufta la në rajonin e Llapit. Pjesëmarrësit theksuan se këto të vërteta historike nuk mund të ndryshohen nga asnjë vendim gjyqësor.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e cilësoi luftën e UÇK-së si “të drejtë, të pastër dhe çlirimtare”.
Bulliqi: Aktgjykimi nuk e lëkund bindjen për drejtësinë e luftës së UÇK-së
“As ky vendim i padrejtë nuk mund ta tronditë bindjen tonë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Krimet në këto troje i kryen okupatorët serbë, të udhëhequr nga kryekrimineli Sllobodan Millosheviqi. Çdo tentativë për ta barazuar krimin e forcave serbe në Kosovë me luftën çlirimtare të djemve dhe vajzave tona është jo vetëm e padrejtë, por edhe absurde. Për këtë arsye, jo në emrin tim.
Vetëm në rajonin e Llapit janë qindra viktima civile të pafajshme, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Dhjetëra mijëra shtëpi u shkatërruan plotësisht. Nëse krimet do të gjykoheshin mbi baza etnike, atëherë kjo do të duhej të vlente për Serbinë dhe jo për Kosovën. Këto fakte nuk mund të zhbëhen nga ky vendim i padrejtë i kësaj gjykate. Asgjë nuk mund ta njollosë luftën e pastër të UÇK-së.
Ne besojmë se ish-krerët e UÇK-së do ta fitojnë edhe këtë betejë. Dikur ata luftuan për lirinë e këtij populli, ndërsa sot ne jemi mbledhur së bashku për lirinë e tyre”, ka deklaruar Bulliqi.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Rafet Llapashtica, tha se brezat e rinj duhet të njihen me sakrificën e bërë për çlirimin e Kosovës.
Llapashtica: Sakrifica për lirinë nuk duhet të harrohet
“Një brez që nuk e njeh sakrificën e paraardhësve të tij mund të mos e kuptojë rëndësinë e lirisë. Kur flasim sot për UÇK-në, kujtojmë rrugëtimin e gjatë drejt lirisë dhe njerëzit që luftuan kundër kriminelëve të ardhur në vendin tonë për të dhunuar dhe vrarë.
Flasim për UÇK-në si zëri i popullit, për familjet, nënat dhe baballarët që shpresonin për fëmijët e tyre, por që mbetën pa përqafimin e prindërve të vrarë nga kriminelët serbë. Flasim edhe për fëmijën që sot shkon i qetë në shkollë.
Jemi mbledhur për t’ua bërë të qartë të gjithëve se vitet dhe brezat mund të ndryshojnë, ashtu siç mund të ndryshojnë edhe kohët, por çmimi që populli ynë pagoi për lirinë nuk ndryshon dhe nuk zbehet kurrë.
Si gjithmonë, edhe sot, madje më shumë se kurrë, duhet të kujdesemi që dallimet të mos na kthejnë në armiq. Kosova ka nevojë për bashkim, sepse UÇK-ja na bashkoi gjatë luftës dhe vazhdon të na bashkojë edhe sot”, ka thënë Llapashtica.
Në emër të shoqërisë civile, Rexhep Zeka deklaroi se kundërshtimi ndaj aktgjykimit duhet të shprehet përmes mobilizimit të qytetarëve.
Zeka: Asnjë vendim nuk mund ta ndryshojë të vërtetën
“Në atë Gjykatë nuk po gjykohen vetëm individë; aty po dënohet UÇK-ja. Ajo qëndron mbi secilin prej nesh dhe mbi çdo parti që ka ekzistuar, që ekziston apo që do të ekzistojë në të ardhmen. UÇK-ja është drita përmes së cilës sot e gëzojmë lirinë.
Prandaj, secili qytetar e ka për detyrë të bëjë diçka për këtë padrejtësi që i është bërë shtetit tonë. Duhet të mblidhemi në protesta dhe të deklarojmë të gjithë bashkë: Jo në emrin tim.
Jemi këtu sepse besojmë se asnjë vendim nuk mund ta ndryshojë të vërtetën që jeton në kujtesën e një populli. Sakrifica e bërë për këtë vend nuk mund të fshihet”, ka deklaruar Zeka.
Protesta në Podujevë ishte njëra prej tubimeve të shumta që Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizoi të premten në qytete të ndryshme të Kosovës, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale.
Ky mobilizim masiv po shoqërohet me protesta të përnatshme në Prishtinë dhe me reagime të kuvendeve komunale në pjesë të ndryshme të vendit.
