Aeroporti në Malpensa merr emrin Silvio Berlusconi, flet e bija: Krenari e madhe
Aeroporti i Milanos, Malpensa, mban zyrtarisht nga sot emrin e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Në Terminalin 1 u zhvillua ceremonia e emërtimit, ku u vendos edhe një pllakë përkujtimore.
Në ceremoni morën pjesë presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, ministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, si dhe presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana. Të pranishëm ishin edhe familjarët e Berlusconit.
Vajza e tij, Marina Berlusconi, e cilësoi këtë një moment krenarie dhe emocioni, duke thënë se emri i babait të saj do të mirëpresë çdo ditë udhëtarë nga e gjithë bota.
Për udhëtarët, ndryshimi mbetet simbolik: kodi IATA “MPX” nuk ndryshon dhe, për momentin, nuk parashikohen ndryshime në sinjalistikën rrugore.
Ceremonia u shoqërua edhe me polemika politike. Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, mungoi pasi kishte kundërshtuar vendimin për emërtimin. Ai tha se nuk mund të merrte pjesë në një ceremoni që binte ndesh me qëndrimin e tij.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Matteo Salvini shprehu keqardhje për mungesën e tij.
Nga sot, emri i Silvio Berlusconit është pjesë zyrtare e identitetit të një prej aeroporteve kryesore të Italisë.

