Kanë kaluar më shumë se 25 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, por për Wesley Clark lidhja me shqiptarët mbetet e pandryshuar. Ish-komandanti i NATO-s tha se, kudo ku shkon, takon shqiptarë që e përshëndesin, e qerasin dhe i kujtojnë Kosovën, ndaj mes tyre ndihet "si pjesë e familjes".

Clark i bëri këto deklarata gjatë mbrëmjes gala të organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ku u nderua me një çmim. Ai tha se vlerësimi kishte një domethënie që shkonte përtej ceremonisë, pasi e bënte të ndihej pjesë e komunitetit shqiptar.

"Dua t’ju them thjesht se sa i nderuar jam që marr këtë çmim, por është më shumë se kaq: është të jesh pjesë e komunitetit tuaj. Sa herë që udhëtoj, kudo që shkoj, gjithmonë ka dikë nga Shqipëria. Ndihem si pjesë e familjes", u shpreh Clark.

Ish-gjenerali amerikan tregoi se shqiptarët e ndalojnë shpesh në aeroporte, restorante dhe vende të ndryshme në Evropë e Shtetet e Bashkuara, duke i kujtuar Kosovën dhe duke këmbëngulur ta qerasin. Ai kujtoi edhe një darkë në Café Milano, ku një shqiptar nga Kosova nuk e la të paguante faturën.

"Aty ishte dikush nga Kosova për të na përshëndetur dhe për të na thënë: ‘Jo, jo, nuk mund ta paguani darkën. Nuk mund ta paguani darkën’", rrëfeu ai.

Clark tha se këto takime i kujtojnë vazhdimisht rëndësinë që ngjarjet e vitit 1999 vazhdojnë të kenë për shqiptarët.

"E di, sepse ju ma keni treguar, sa shumë do të thoshin për ju ato ngjarje të 1999-ës. Ato do të thonë shumë edhe për mua", tha ai.

Duke iu kthyer ndërhyrjes së NATO-s, Clark tregoi një bisedë me një ambasadore të Kosovës, të cilës iu referua me emrin Flora, për organizimin e një darke përkujtimore më 24 mars. Ai e kishte pyetur përse ishte zgjedhur data e nisjes së bombardimeve dhe jo ajo e përfundimit të tyre në qershor.

"Ajo tha: ‘Sepse kur dëgjova zhurmën e avionëve të NATO-s, e dija se do të shpëtoheshim’", kujtoi ai.

Në fund të fjalës së tij, ish-komandanti i NATO-s theksoi se meritat për ndryshimin në Kosovë nuk i takojnë atij, por vetë shqiptarëve.

"Historia fillon me guxim. Fillon me guximin tuaj dhe vendosmërinë, me besimin në qytetërimin tuaj, gjuhën tuaj, kulturën tuaj, familjet tuaja. Ishte kuraja juaj, përkushtimi juaj që bëri të ndodhnin të gjitha këto ngjarje të vitit 1999. Jo imja, juaja."