Lajmi i fundit

LIVE/ Foltorja e Ripërtëritjes me Kryetarin e PD-së, Sali Berisha, në Elbasan

Bianka Çopja: Partia Demokratike e kaloi oqeanin, tani duhet të jetë uragani që përmbys korrupsionin

18:43, 25/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në foltoren e ripërtëritjes së Partisë Demokratike në Elbasan, Bianca Çopja, kryekëshilltare bashkiake e opozitës në Bashkinë Elbasan, e vuri theksin te një PD më e hapur dhe më pranë qytetarëve. Ajo solli në vëmendje problematikat konkrete të qytetit, nga ndotja e ajrit, infrastruktura dhe uji i pijshëm, te punësimi dhe mundësitë për të rinjtë.

Çopja theksoi se ripërtëritja duhet të bashkojë eksperiencën e demokratëve ndër vite me energjinë dhe idetë e brezit të ri, duke e shtrirë aktivitetin politik në çdo lagje, fshat dhe familje të Elbasanit. “Partia Demokratike duhet të jetë një parti ku qytetari ndien se ka një zë”, u shpreh ajo, duke e mbyllur fjalën me një mesazh të fortë politik për të ardhmen e opozitës.

Bianca Çopja: Përshëndetje të gjithëve. I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, të dashur demokratë. Unë jam Bianca Çopja, një nga të rinjtë e Partisë Demokratike dhe pse e re në këtë parti, më janë besuar poste të rëndësishme falë vullnetit, punës dhe përkushtimit për të çuar përpara Partinë Demokratike dhe atë rrugëtim që nisi 36 vite më parë. Është një rrugëtim që ne të rinjtë duhet ta trashëgojmë brez pas brezi, se Partia Demokratike është një aset kombëtar, frymëzim i qëndresës dhe i lirisë. Për mua Partia Demokratike duhet trashëguar brez pas brezi dhe mbi të gjitha ripërtëritja e Partisë Demokratike nuk është thjesht një ndryshim brenda një partie, është një mundësi për ta bërë Partinë Demokratike më të pranishme në jetën e përditshme të Elbasanit dhe më pranë qytetarëve, sepse ne e dimë shumë mirë çfarë e shqetëson sot Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë. Na shqetëson ndotja e ajrit, një problem që është dokumentuar edhe në raporte të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Na shqetëson gjendja e rrugëve dhe trafikut, problematikat me ujin e pijshëm, kanalizimet dhe infrastruktura. Na shqetëson korrupsioni, arroganca e pushtetit, problematika të tjera që na shqetësojnë mes qytetit dhe fshatit, ende ka diferenca në shërbime dhe mundësi. Na shqetëson e ardhmja e të rinjve të Elbasanit, mundësitë për punë, zhvillim dhe për të ndërtuar jetën këtu pa qenë të detyruar të largohen. Pikërisht këtu duhet të jetë dhe Partia Demokratike. Ne nuk jemi një parti elektorale, por një parti më pranë qytetarit, në lagje, në fshatra, në njësitë administrative, pranë familjeve dhe pranë çdo qytetari. Si një vajzë e re elbasanase, unë besoj se ripërtëritja duhet të sjellë më shumë energji, më shumë të rinj dhe më shumë mundësi për të kontribuar. Duhet të bashkojmë eksperiencën e personave të parë themelues, që kanë kontribuar ndër vite, me energjinë, idetë dhe guximin e një brezi të ri. Dua një Parti Demokratike që të jetë e hapur për të rinjtë, për gratë, për profesionistët, për sipërmarrësit dhe për çdo qytetar që ka diçka për t'i dhënë Elbasanit. Një Parti Demokratike që flet për ajrin që marrim frymë, për ujin që na mungon, për rrugët ku lëvizim, për fshatrat që kërkojnë shërbime, për familjet që kërkojnë më shumë mundësi dhe për të rinjtë që kërkojnë një arsye për të qëndruar këtu. Kjo është mënyra se si mund ta forcojmë Partinë Demokratike, duke forcuar lidhjen në qytetin. Dhe unë besoj tek kjo rrugë. Besoj se Elbasani ka njerëz, ka energji dhe ka potencial të madh për të kontribuar për shpëtimin e vendit. Dhe besoj se edhe ne duhet të ndryshojmë mënyrën si jemi pranë tyre. Duhet ta hapim Partinë Demokratike, ta ripërtërijmë me energji të re, të afrohemi në çdo lagje, çdo njësi dhe çdo familje të Elbasanit. Dhe mbi të gjitha, ta bëjmë përsëri një parti ku qytetari ndien se ka një zë. Sepse Partia Demokratike ka qenë dhe është një alternativë. Këtu dua të sjell dhe unë eksperiencën time si një vajzë e re qytetari, t'i japim energji, punë, përkushtim dhe besim të Elbasani. Dhe dua ta mbyll me një mesazh. Partia Demokratike e kaloi oqeanin, edhe pse stuhia ishte shumë e fortë. Por të jeni të sigurt, Partia Demokratike do të jetë uragani që do të marrë përpara rilindjen e zezë të korrupsionit. Faleminderit doktor Berisha, faleminderit të gjithëve! 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco