Sali Berisha zhvilloi sot në Elbasan një takim me strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, ku në fjalën e tij hodhi akuza të forta ndaj qeverisjes së Edi Ramës, duke e lidhur situatën ekonomike dhe sociale në vend me korrupsionin, krimin e organizuar dhe emigracionin.
Në vijim të fjalës së tij në Elbasan, Sali Berisha u ndal te pensionet, kostot e rritjes së fëmijëve dhe çmimet e qirave, duke i renditur këto si disa prej faktorëve që, sipas tij, po nxisin largimin e shqiptarëve nga vendi.
Berisha deklaroi se mbi 600 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme dhe se të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për të përballuar nevojat bazë.
Ai tha gjithashtu se kostoja e rritjes së një fëmije në vitin e parë arrin në 66% të pagës, ndërsa qiratë, sipas tij, janë afruar me nivelin e pagës mesatare.
Në këtë kuadër, kreu i PD-së e krahasoi situatën në vend me një pacient në urgjencë dhe e cilësoi ripërtëritjen e Partisë Demokratike si të domosdoshme për atë që ai e quan “ripërtëritjen e Shqipërisë”, duke bërë thirrje për mobilizim drejt fitores së opozitës.
“Sot, jo vetëm ilaçet, por mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme. Janë me pensione me të cilat absolutisht nuk marrin dot as dy javë ushqime, pa le ndihmë nga familjarët e tyre.
Këto ditë publikohet lajmi se për të rritur një fëmijë, foshnja në vitin e parë, kërkon 66% të rrogës. Prandaj dhe ne jemi, kemi rënë në këtë mënyrë. Qiratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Pra, janë bërë mollë e ndaluar apartamentet për qytetarët.
Të gjithë këta faktorë shtyjnë qytetarët tanë të ikin, të ikin, të ikin. Ndërkohë, vendi është absolutisht vendi i pasurive përrallore. I pasurive përrallore të gjithanshme. Nuk ka tokë dhe vend më të begatë se Shqipëria në çdo aspekt. Por të gjitha këto janë shndërruar në një mënyrë apo në një tjetër, në mallkim për qytetarin shqiptar.
Janë shndërruar në parajsë për qeveritarë të pangopur dhe hajdutë, të cilët në mënyrë identike me ata që shtypën shqiptarët 46 vite, urrejnë qytetarin. Mund të listojmë një listë të pafundme të problemeve të jashtëzakonshme të rënda që përballet qytetari, për shëndetin e tij, për shkollimin e fëmijëve.
U ndala në këtë paraqitje për të theksuar se sirenat e nevojës për rithemelimit të Shqipërisë bien në të katër anët e vendit. Shqipëria realisht ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës.
Ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ndaj dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë.
Ju them unë ju, keni meritë të jashtëzakonshme, sepse në kushtet më të vështira i qëndruat opozitarë. I qëndruat dhëmbë për dhëmbë këtij regjimi. I qëndruat të pamposhtur pavarësisht nga të gjitha, nga dhuna, terrori, burgosjet, shantazhet, presionet e të tjerë, të gjithë makinerinë e tij.
Pa ju, pa qëndresën tuaj, pa guximin tuaj, ky regjim nuk ishte i shpërbërë në të sotmen. Jo. Pra, në këtë kuadër, fitorja jonë është një domosdoshmëri. Jo për t’u kthyer shpinën, jo për t’i injoruar ata qëndrestarë që për mua janë heronj, heronj të vërtetë. Por për të përshkruar kilometrin e fundit drejt fitores.
Për të ecur drejt fitores. Për të ecur drejt fitores. Demokratët, populli opozitar pret fitoren. Shqipëria pret me padurim fitoren e opozitës. Dhe kjo është përgjegjësi e madhe ndaj vendit.
Ky është motivi i jashtëzakonshëm për ne”, tha ai.
Top Channel