Ripërtëritja e PD në Elbasan, Berisha: Pensionistët nuk blejnë dot ilaçet, apartamentet ”mollë e ndaluar” për rininë
Sali Berisha zhvilloi në Elbasan “Foltoren e Ripërtëritsjes” së PD-së, ku foli për situatën ekonomike dhe sociale në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe largimin e qytetarëve nga Shqipëria. ”Jemi në momentet më të veçanta në historinë tonë kombëtare. Jemi në momentet e shpërbërjes së turpshme të një regjimi i cili qeverisi këtë vend i bazuar në vjedhjen e qytetarëve, krimin e organizuar, përzënien e tyre nga vendi”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai u ndal te pensionistët, duke pretenduar se mbi 600 mijë prej tyre përballen me vështirësi për të siguruar nevojat bazë. ”Sot pensionistët nuk blejnë dot ilaçet. Mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme, me pensione me të cilat nuk marrin dot as dy javë ushqime pa ndihmën e familjarëve”, tha ai.
Berisha kritikoi gjithashtu kostot e rritjes së fëmijëve dhe çmimet e banesave, duke i lidhur ato me rënien e lindshmërisë dhe emigracionin. “Për të rritur një foshnje në vitin e parë, kërkon 66% të rrogës, ndaj kemi rënie të lindshmërisë, qeratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Janë bërë mollë të ndaluara apartamentet për qytetarët”, u shpreh kreu i PD-së.

