Brukseli ka zgjedhur të mos komentojë konkretisht çështjen që lidhet me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj, por ka shprehur besim te puna dhe aftësia e SPAK për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar.
Komisioni Europian është pyetur për zhvillimet që lidhen me SHISH dhe hetimin ndaj Hysenit. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, tha se nuk mund të komentojë çështje që janë ende në proces, por theksoi se institucionet europiane po i ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri sa i përket shtetit të së drejtës.
Mercier u ndal veçanërisht te reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë përparim në këto fusha.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi Mercier.
Ndonëse u rezervua për rastin konkret të Vlora Hysenit, zëdhënësi i Komisionit Europian shprehu besim të plotë te aftësia e SPAK për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar.
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, u shpreh ai.
Mercier shtoi se Komisioni Europian është në kontakt të vazhdueshëm me homologët shqiptarë, ndërsa për vlerësimin më të gjerë të situatës në Shqipëri iu referua raportit të ardhshëm për zgjerimin e Bashkimit Europian.
“Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë. Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian.

