118 ditë protestë, i moshuari thirrje rinisë: Për 3 ditë e rrëzoni qeverinë
Në ditën e 118-të të protestës, një i moshuar ka rrëfyer vështirësitë që, sipas tij, ka hasur në sistemin shëndetësor shqiptar dhe problemet ekonomike me të cilat përballet.
Ai tha se ishte diagnostikuar me kancer dhe se për një vit ishte trajtuar në Shqipëri, pa mundur të kryente biopsinë.
“Jam me kancer. Jam kuruar në Shqipëri për një vit, nuk më bënin dot biopsi. Doktorët më prenë shpresat. Thanë: ‘Bëni gati shtëpinë, sepse ky nuk arrin as në shtëpi’”, tregoi ai.
Familjarët e dërguan më pas jashtë vendit, ku, sipas tij, procedurat u kryen brenda një dite.
“Çfarë më bënë këtu për një vit, atje m’i bënë për një ditë. Kanë kaluar pesë vite dhe unë jam shëndoshë e mirë”, u shpreh ai.
I moshuari foli edhe për vështirësitë ekonomike, duke thënë se ai dhe bashkëshortja marrin rreth 250 mijë lekë pension, ndërsa një pjesë e madhe e të ardhurave shkon për trajtimin e tij.
“Çfarë duhet të bëjmë ne, si të jetojmë? Na ndihmojnë fëmijët që kanë familjet e veta. Ku është shteti shqiptar?”, tha ai.
Në fund, ai iu drejtua të rinjve dhe studentëve me një thirrje për t’iu bashkuar protestës: “Brenda tri ditësh e hedhin qeverinë në tokë”.

