Rama nga New Yorku: Nuk më ndalin me baltë dhe jargë, Shqipërinë do ta çoj në majën e Europës së Bashkuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar nga disa shqiptarë në New York ndaj tij, duke iu përgjigjur kritikëve me tone të ashpra. Në një reagim të publikuar pas protestës në X, Rama shkruan se kundërshtarët nuk do ta ndalin në misionin e tij për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Ai mbrojti gjithashtu bilancin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi. “Do ta çoj flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar”, shkroi Rama, duke i cilësuar protestuesit dhe kritikët e tij si “pula histerike” dhe duke argumentuar se Shqipëria sot është një vend tjetër sa i përket luftës kundër korrupsionit.

Postimi i plotë

Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:

Swiss Digital Mobile Reklama

Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!

Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?