Në fjalën e mbajtur pasditen e sotme, nga foltorja e “Ripërtëritjes” së PD-së në Elbasan, lideri demokrat vuri fokusin te gjendja aktuale e vendit tonë, për të cilën theksoi se është koha që demokratët të ndërhyjnë për të përmirësuar Shqipërinë.
Duke e krahasuar vendin me një të sëmurë që kërkon shpëtim në sallën e urgjencës, Berisha theksoi se Shqipëria ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme ndërsa shtoi se ripërtëritja demokratike do të rezultojë jetike për shqiptarët. Ndërsa premtoi se me fitoren e mandatit të parë do të dyfishojë pagat dhe pensionet.
“Sirenat e nevojës për rithemelimit të Shqipërisë bien në të katër anët e vendit. Shqipëria realisht ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës. Ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ndaj dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë”, tha gjatë fjalës së tij Berisha.
Më tej, kryedemokrati vijoi me premtime për qytetarët shqiptarë duke u shprehur se demokratët do të dyfishojnë rrogat e pensionet me mandatin e tyre të parë, në rast se shqiptarët u besojnë votat. Ashtu si e propozoi dhe ditë më parë, Berisha premtoi para elbasanllinjve se në rast se fiton qeverisjen e vendit ai do të heqë taksat për të gjitha ushqimet.
“Ne do vendosim dyfishimin e rrogave dhe të pensioneve si kushti i parë i mandatit të parë. Do heqim taksën për të gjitha ushqimet. Pa taksa. Nuk mund të ketë problem, ishte e paimagjinueshme të jetë ushqimi problem në një vend që ka pasuri përrallore si Shqipëria” theksoi lideri i PD-së.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha përmendi dhe protestën qytetare e cila sot hyn në ditën e saj të 118-të, për të cilën tha se qytetarët dhe të rinjtë shqiptarë zvarrisin Edi Ramën në rrugët e Tiranës, njëlloj siç zvarritej dikur statuja e Enver Hoxhës. Ndërkohë që qytetarët kërkojnë në zemër të Tiranës dorëheqjen e tij dhe të Edi Ramës, Berisha shprehet i bindur se ka ardhur momenti që demokratët të ngrihen për të ripërtërirë Shqipërinë.
“Prej 120 ditësh qytetarët dhe të rinjtë shqiptarë zvarrisin Edi Ramën në rrugët e Tiranës, njëlloj siç zvarritej dikur statuja e Enver Hoxhës. Tani u përket mbarë shqiptarëve, demokratëve, të ngrihen për të përmbushur këtë mision të madh, për të ripërtërirë Shqipërinë, për t'i rikthyer Elbasanit dhe Shqipërisë të ardhmen që meriton” shtoi më tej kryedemokrati.
