Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, se sot liria e shprehjes kërcënohet nga përdorimi si armë i fuqisë së shpërndarjes.
Sipas kryeministrit Edi Rama, kur gënjeshtra shumëfishohet miliarda herë, e vërteta nuk ka nevojë të censurohet, pasi sipas tij, ajo varroset.
“Dy fqinj mund të jetojnë në të njëjtën rrugë, të votojnë në të njëjtat palë zgjedhjesh dhe të jetojnë brenda realiteteve kryekëput të ndryshme, secili prej të cilëve është prodhuar specifikisht për secilin prej tyre. Kur kjo ndodh, demokracia nuk humbet thjesht një debat apo thjesht një radhë zgjedhjesh, humbet terrenin e përbashkët mbi të cilin bëhet i mundur debati dhe humb edhe mundësinë për ta pasur atë. Sovraniteti nuk gërryhet më në kufi, gërryhet nëpër “feed-e”. Në shekullin e XX-të sovraniteti kuptonte kontrollin për tokën, ujërat territoriale dhe hapësirën kombëtare ajrore. Sot në Europë ne po vrapojmë si të marrë për të shtuar gjithmonë e më shumë, për të hedhur gjithmonë e më shumë para që nuk i kemi për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur qiejt tanë nga një luftë e mundshme në të ardhmen, por disi po harrojmë që në shekullin që jetojmë, duhet që kjo të nënkuptojë edhe aftësinë e një shoqërie të lirë për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët e saj formojnë opinionin e vet. Pa këtë aftësi, sovraniteti mbi tokën, mbi qiejt bëhet thjesht një iluzion e pastaj vjen shtresa e tretë; shpërndarja.
Për shekuj të tërë kërcënimi më i madh ndaj lirisë së fjalës ishte censura. Sot, liria e fjalës kërcënohet po kështu nga përdorimi si armë i lirisë së shpërndarjes. Fjala është e drejta për të shprehur një ide, shpërndarja është fuqia për ta vënë këtë ide përpara miliona njerëzve. Fjala i përket qenies njerëzore. Shpërndarja mund të blihet, automatizohet, të manipulohet dhe të caktohet fshehtësisht, të vendoset fshehtësisht nga platformat, korporatat, rrjetet kriminale dhe shtetet e huaja. E drejta për të folur është universale, por nuk ka një të drejtë universale për shpërndarjen anonime të pakufizuar dhe të amplifikuar artificialisht. Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta nuk ka nevojë më të censurohet, sepse thjesht varroset. Qytetari mbetet formalisht i lirë të flasë, por flet në një stuhi që asnjë zë njerëzor nuk mund ta përballojë. Liria e fjalës, për rrjedhojë, mund të pësojë disfatë pa ndaluar asnjë libër të vetëm, pa burgosur asnjë gazetar të vetëm e pa fshirë as dhe një të vetmin postim. Përgjigjja për fjalën e për të folurin e keq mbetet më shumë liri fjale, por përgjigjja për amplifikimin e fshehtë e industrial duhet të jetë ekspozim e duhet të bëhet më herët sesa vonë. Kush e krijoi mesazhin, kush pagoi për të? U shpërnda nga njerëzit apo nga makinat? Pse u shënjestrua qytetari? A ishte reagimi i dukshëm publik origjinal i koordinuar apo i drejtuar nga jashtë?Të mbrosh demokracinë e të mbrosh një mënyrë jetese e lirinë e secilit komb për të jetuar në mënyrën e vet, nuk do të thotë të kontrollosh se çfarë lejohet njerëzit të mendojnë. Nënkupton të shpërfaqësh fuqitë e fshehura që kërkojnë të kontrollojnë atë që njerëzit detyrohen të shohin. Nëqoftëse ne mbrojmë lirinë e shprehjes duke e lënë kontrollin e shpërndarjes krejt në terr, atëherë është njësoj si të mbrosh derën po të dorëzosh të gjithë dhomën”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Rama në OKB për rreziqet e IA: Jo frenim, por marrëveshje ndërkombëtare! Ky s'do të jetë shekulli i makinerisë! Narrativa për pushtimin e bregdetit shqiptar nga Izraeli nxiti protestat në Tiranë






