Prej disa ditësh, një numër biznesesh në Kosovë kanë raportuar probleme me sigurinë e llogarive të tyre në WhatsApp, ku persona të paautorizuar dyshohet se kanë marrë kontrollin e tyre dhe më pas kanë dërguar mesazhe reklamuese dhe spam.
Shqetësimi është ngritur fillimisht nga Darsej Rizaj, bashkëthemelues i “Shkollës Digjitale” dhe “StarLabs”, i cili ka deklaruar se më pas edhe një numër i madh biznesesh kanë raportuar probleme të ngjashme.
Në një prononcim për Telegrafin, Rizaj ka thënë se ekzistojnë disa mënyra përmes të cilave një sulmues mund të sigurojë kodin e verifikimit të WhatsApp-it pa dijeninë e përdoruesit. Mes tyre ai përmendi marrjen e kodit përmes voicemail-it, devijimin e thirrjeve, kopjimin e SIM-kartelës (SIM swap), përgjimin e SMS-ve përmes dobësive të SS7, lidhjen e pajisjeve përmes kodeve të rreme QR, si dhe komprometimin e llogarive Meta Business të përdoruesve të WhatsApp Business API.
Megjithatë, sipas Rizajt, në rastin e biznesit të tij, auditimi i sigurisë nuk ka identifikuar asnjërën prej këtyre metodave si burim të komprometimit.
“SMS ka ardhur gjatë natës, kompjuterët nuk kanë qenë të ndezur dhe askush nuk ka qenë i pranishëm në zyrë për ta treguar kodin në çfarëdo mënyre”, ka deklaruar ai.
Rizaj ka ngritur si mundësi edhe një problem të mundshëm në sigurinë e rrjetit telekomunikues, por ka theksuar se kjo duhet të hetohet nga institucionet përgjegjëse dhe operatorët.
“Ky është një problem serioz në nivel kombëtar, sepse dyshimi mund të jetë se telekomi në Kosovë është hakuar dhe SMS-të tona mund të shihen. Kjo e tejkalon problemin e WhatsApp-it, sepse e dimë shumë mirë që llogaritë bankare, emaili dhe pothuajse e gjithë jeta jonë mund të jenë në rrezik, pasi pothuajse çdo shërbim e kemi të lidhur me SMS”, ka thënë Rizaj.
Ai ka kërkuar nga operatorët telefonikë dhe institucionet përgjegjëse që të hetojnë rastin dhe të japin sqarime publike.
“Situata mund të jetë shumë më serioze se sa duket në shikim të parë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Telegrafi ka kontaktuar edhe Telekomin e Kosovës për të marrë një sqarim lidhur me ankesat.
Nga Telekomi i Kosovës kanë konfirmuar se kanë pranuar ankesa nga klientët për probleme të tilla, por kanë deklaruar se çështja lidhet me shërbimin WhatsApp dhe jo me funksionimin e rrjetit të Valës.
Sipas Telekomit të Kosovës, shërbimet e operatorit Vala kanë funksionuar normalisht./telegrafi













